Përfaqësuesja e Kosovës dha provimin e parë me rastin e zhvillimit të ndeshjes miqësore kundër Haitit. Ndonëse rezultati në fund ishte i barabartë (0:0), djelmoshat kosovarë dominuan kundërshtarin dhe patën një mori rastesh për gol, por pa arritur ta çojnë topin në rrjetë. Është kapiteni i Përfaqësueses kosovare, Anel Rashkaj, i cili pranon faktin se merituan fitoren.
Megjithatë, 24-vjeçari pohon se deri te dueli i 22 majit me Turqinë kanë mjaft kohë për t’i studiuar gjërat dhe beson se do të jenë më konkretë para porte. Sipas tij, ndaj Turqisë do të jetë edhe një interesim më i madh i tifozëve. Në një intervistë për ‘Sport Plus’, mesfushori i skuadrës norvegjeze, Sandnes Ulf, flet edhe për paraqitjen e tij më 5 mars dhe lëvdatat e shumta që i ka marr.
‘Kosova meritoi fitoren’
Anel, urime për barazimin me Haitin. Keni pushuar mjaftueshëm?
Rashkaj: Faleminderit. Të them të drejtën, as që jam lodhur. Kur shikoja gjithë atë interesim, stadiumin e mbushur me shikues dhe duartrokitjet në fund të ndeshjes, nuk ndjeja kurrfarë lodhje.
Cili është vlerësimi juaj për ndeshjen?
Rashkaj: Vërtetë jam ndjerë mirë. Stadiumi ishte i tëri i mbushur. Për Kosovën po u hapte një kapitull i ri. Gjithçka ishte e organizuar në mënyrën më të mirë. Kemi luajtur mirë, kishim raste për të shënuar dhe Kosova meritoi fitoren, por barazuam. Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit.
Ju personalisht keni marrë lëvdata të shumta?
Rashkaj: Jam i lumtur për këtë. Personalisht mendoj se kam luajtur mirë.
A ishte kjo nga paraqitjet më të mira tuajat, ngase tashmë kanë filluar t’iu thërrasin Zidane i Kosovës?
Rashkaj: Ishte paraqitje e mirë e imja, por mendoj që kam ndeshje ku kam luajtur edhe më mirë këtu në Norvegji.
Ballafaqimi me Turqinë
Si e pritët lajmin për miqësoren ndaj Turqisë?
Rashkaj: Është një lajm shumë i mirë. Kësi ndeshje çdo lojtar ka dëshirë t’i luajë. Është një gjë shumë e mirë dhe jam i lumtur për këtë.
A mendoni se interesimi për këtë duel do të jetë më i madh se me Haitin?
Rashkaj: Mendoj që po. Kjo për faktin se Turqia është një Kombëtare e madhe dhe futbollistët që luajnë aty janë elita e futbollit.
Për dallim nga Haiti, ndeshja me Turqinë është aranzhuar me kohë. A mendoni se kjo është përparësi për juve futbollistët?
Rashkaj: Normalisht që po. Me Haitin nuk kishim shumë kohë për t’u grumbulluar dhe për ta analizuar kundërshtarin. Tash kemi kohë më shumë dhe mund ta analizojmë ndeshjen dhe të shohim se çka mund të përmirësojmë. Sigurisht duhet të jemi më konkretë para porte. /Telegrafi/