Site icon Telegrafi

Rashiq konfirmon, INTERPOL-i ka lëshuar urdhër-arrest për Radoiçiqin

INTERPOL, organizatë kjo ndërkombëtare e policisë ka lëshuar një flet-arrest për Milan Radoiçiqin, ish nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Ministri Rashiq bëri të ditur për Telegrafin se urdhri për flet-arrest është lëshuar me ndërmjetësimin e UNMIK-ut, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Telegrafi i ka shkruar edhe INTERPOL-it lidhur me lëshimin e flet-arrestit për të dyshuarin Milan Radoiçiq dhe është në pritje të përgjigjes.

Ndryshe, Radoiçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Lexo po ashtu Sulmi në Banjskë dhe përfshirja e Radoiçiqit – çfarë deklaruan zyrtarët amerikan dhe evropian për ekstradimin e tij në Kosovë?

Ndryshe, për sulmin në Banjskë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar një video ku shihet ish nënkryetari i Listës serbe, Milan Radoiçiq.

Kujtojmë se edhe vetë ish-nënkryetari i Listës Serbe ka pranuar publikisht se ka marrë pjesë në organizimin e grupit terrorist që ushtroi agresion ndaj Kosovës, më 24 shtator.

Lidhur me këtë ai është marrë në pyetje nga një Gjykatë në Beograd, ndërsa është liruar nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje. /Telegrafi/

 

Exit mobile version