Përleshjen e sotme ndërmjet kryetarit të Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq dhe dy anëtarëve të Listës Serbe e ka komentuar Nenad Rashiq, ish-deputet dhe kryetari i Partisë Demokratike Progresive.
Rashiq thotë se ky incident erdhi si pasojë e një ndarjeje ekstreme të serbëve në Kosovë “ata që janë në favor të regjimit të Beogradit dhe të tjerëve që po mundohen të krijojnë një skenë politike autoktone kosovare”.
“Në këtë rast, këtë ndarje ekstreme e ka krijuar vet politika e Partisë Liberale Serbe (SLS)… Tashmë anëtarët e Listës Serbe e kanë bërë traditë për çkado që ndodh ata e akuzojnë dikë tjetër. Por, unë pres që gjatë ditëve në vazhdim institucionet relevante të dalin më një konkludim konkret për rastin”, tha Rashiq në Info Magazine të Klan Kosovës.
Për gjendjen e krijuar tek serbët, Rashiq nuk e fajëson vetëm Beogradin.
“Nuk janë fajtore vetëm institucionet e Beogradit, por edhe pushteti në Kosovë që e ka mundësuar një politikë ekstreme nacionale – jo vetëm në nivelet lokale, por edhe në institucionet qendrore”, tha ai.