Lidhur me vendosjen e taksës prej 100 përqind nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, Nenad Rashiq.
Ai këtë vendim e ka quajtur të ngutshëm dhe kundër parimeve të BE-së.
“Ky veprim është i ngutshëm sepse nëse punohet në një stabilizim të marrëdhënieve dhe harmonizim të dialogut atëherë këto vendime që janë pak ekstrem nuk shkojnë me parime të Bashkimit Evropian ku politika e ka një drejtim dhe ka një rrugë dhe shumë pak befasitë ekstreme ndodhin”, tha ai,për Kallxo.com.
Sipas tij ky vendim ka qenë revoltë për shkak të pakënaqësive dhe humbjeve në diplomacinë ndërkombëtare duke e shfrytëzuar këtë si pozicionim strategjik.
“E shoh si pozicionim strategjik ku gjatë krejt këtyre viteve Kosova dhe diplomacia kosovare shpesh herë është ndi inferiore ndaj politikës së Beogradit dhe bashkimit Evropian. Në këtë aspekt besoj që ideja e taksave është një iniciativë e diplomacisë ekonomike ku krijuesi I idesë beson që e faktorizon Kosovën para rundës së ardhshme të negociatave”, theksoi ai.