Shukri Asllani, menaxher i lojtarit nga Vushtrria për “Veriu.info” ka treguar se oferta ishte 1+1 vjet kontratë në kohëzgjatje, e cila do të hynte ne fuqi me 1 korrik 2014, mirëpo kushtet financiare nuk ishin ne nivelin që Rashica dëshironte të ishin dhe që do ta bënin t’i thotë “Po” kësaj oferte.
“Bisedimet në mes meje si menaxher i Milotit, dhe drejtuesve të klubit belg do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Miloti edhe ashtu pa i mbushur 18 vjet nuk do të kishte të drejtë transferi ne këtë klub. Qëllimi im ishte që Miloti të vihej në radarin e këtij klubi dhe mundësisht të lidhej parakontratë nëse kushtet financiare do ishin në favor të Milotit. Nga aspekti sportiv klubi belg është i kënaqur me paraqitjet e Milotit dhe nuk kanë asnjë dyshim se i plotëson kriteret e tyre. Unë , e kam bindjen e plotë se ky klub dhe futbolli në ligën më të lartë belge është i mirëseardhur për zhvillimin dhe përparimin e Milotit si lojtar dhe se do te ishte një hap i qëlluar për të, pasi që luhet futboll kreativ, teknik me kombinime të shumta dhe i konvenon lojtarëve të profilit siç është Miloti”, thotë Asllani për “Veriu.info” nga Belgjika.
Ai tregon se problemet kanë lindur në rrafshin financiar, ku ende ka një dallim në mes të dy palëve. “Ne takimet e ardhshme do të tentoj që t’i përafrojmë qëndrimet dhe mundësisht të tejkalohet ky dallim. Në fund nuk mundemi pa e përmendur qëndrimin tejet korrekt të drejtuesve të KF Llamkos Kosova të cilët u treguan shumë bashkëpunues dhe i dhanë mundësi dhe hapësirë të mjaftueshme Milotit që të vij i qetë në prova në Gent dhe bile edhe ta zgjas qëndrimin e tij për disa ditë më shumë se sa ishte paraparë fillimisht, në një kohë mjaftë delikate për klubin vushtrrias siç është ajo para fillimit te kampionatit madje edhe pasi që u luajt xhiroja e parë”, ka thënë menaxheri Shukri Asllani.
Në anën tjetër, talenti vushtrrias Milot Rashica, thotë: "Jam i kënaqur me paraqitjet e mia në 3 ndeshjet provuese dhe faktin se e kam kaluar provën me sukses. Po ashtu fakti që më ofruan kontratë me kënaq, mirëpo unë ende jam i ri dhe nëse vendosi ta braktis futbollin Kosovar atëherë kjo do te duhej të ndodhë në rrethana të kënaqshme në të gjitha aspektet. Po ashtu prej tash e deri ne sezonin tjetër mund të pasojnë edhe oferta tjera gjë që më bënë të mos e ndjej veten të obliguar të them menjëherë “PO” në ofertën e parë". /Telegrafi/