Ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica ka reaguar në rrjetet sociale pas fitores së Werder Bremenit ndaj Borussia Dortmundit.
Werder Bremen ka arritur të shënojë fitore ndaj Borussia Dortmund me rezultat 3-2 në kuadër të DFB Pokal, ku Milot Rashica ishte protagonist.
Sulmuesi i Kosovës arriti të shënojë golin e tretë të skuadrës së tij, duke afruar edhe më shumë fitoren, të cilën e morën pas 90 minutave.
Goli i shënuar dhe fitorja ndaj Dortmundit e kanë lumturuar yllin e Kosovës, i cili ka reaguar me gëzim në rrjetet sociale.
“Çfarë mbrëmje … çfarë lufte. Një mbrëmje me të vërtetë e madhe”, ka shkruar Rashica në profilin e tij privat në Facebook.
Ndryshe, Rashica me golin e shënuar ndaj Dortmundit ka shkuar në kuotën e 10 golave dhe tri asistime në 19 ndeshje në të gjitha garat.
Goli i shënuar ndaj Dortmundit gjithashtu e ka futur vushtrriasin në histori, pasi bëhet lojtari i parë i Werderit që shënon gol në gjashtë ndeshje radhazi në kupë. /Telegrafi/