Telegrafi

Rashica: Ndaj Çekisë finale për ne, do ta japim maksimumin për fitore

Milot Rashica dhe Fidan Aliti kanë qenë sot prezent në konferencë për shtyp, ku kanë folur për ndeshjen me Çekinë.

Dyshja kanë thënë se do ta japin maksimumin në këtë takim dhe se fitorja është e vetmja mundësi.

Rashica fillimisht ka thënë se është ndeshja më e rëndësishme për Kosovën.

“Norma e dimë që është ndeshja më e rëndësishme deri tash, kjo është si finale për neve. Mendojmë për Çekinë. Të kthemi me rezultat pozitiv. Nuk kemi çfarë të humbim dhe do ta japim maksimumin e të shpresojmë për fitore”.

Lojtarët çekë kanë thënë se do të jenë ata që do të shkojnë në Evropian, por Rashica thotë se kjo është dëshirë edhe e Kosovës.

“Normal që çdo lojtar ka ëndrra, edhe ata dëshirë të shkojnë në Evropian. Nuk dalin të thonë që ne nuk e meritojmë e ata të shkojnë. Janë munduar ta gjuajnë presionin te ne. Ne do të mundohemi të fitojmë, pasi është hera e parë dhe është diçka e jashtëzakonshme”, ka thënë Rashica.

“Cilat janë pikat e forta të Kosovës? Kemi shumë pika të forta, pasi jemi grup. Nuk presim vetëm prej një njeriu, të gjithë mund të shënojmë dhe të mbrohemi. Bashkimi na ka pruar deri këtu dhe kemi shumë pika të fortë. Në çdo pozitë ka nga dy apo tre lojtarë që mund të luajnë, por grupi është arma jonë më e fortë”.

Në fund Rashica ka zbuluar se ka ndarë mesazhe me portierin çek të Werder Bremen, Jiri Pavlenka.

“Kemi shkruar dhe kemi folur para ndeshjes me të. Edhe për të është ndeshje e madhe. Ai e di çfarë kualiteti kemi dhe që e japim maksimumin”, ka thënë Rashica.

Ndeshja mes Çekisë dhe Kosovës zhvillohet të enjten nga ora 20:45. /Telegrafi/