Milot Rashica është parë entuziast në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Malit të Zi dhe pret fitore të Kosovës në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret Euro 2020.
Ylli i Kosovës u pushua në takimin miqësor ndaj Gjibraltarit, të cilin Dardanët e fituan me rezultat minimal 1-0.
Megjithatë, Rashica ka thënë në konferencë për shtyp së është i gatshëm ndaj Malit të Zi dhe pret fitore nga Kosova.
“Jam i gatshëm 100 për qind”, ka thënë fillimisht Rashica në konferencën për shtyp.
“Në ndeshjen e fundit në Bundesliga kam luajtur 90 minuta dhe jam gati për ndeshjen e nesërme”.
“Të gjithë e dimë se nuk është ndeshje e lehtë ndaj Malit të Zi. Në takimin e parë kemi pasur shumë shanse, por nuk kemi shënuar, gjë e cila nuk besoj se do të ndodh këtu”.
“Kemi mbështetjen e tifozëve dhe besojmë se do ta marrim fitoren. Kemi bërë një rrugëtim të mirë dhe ne si lojtarë kemi marrë përvojë të mirë”, përfundoi ylli i Kosovës. /Telegrafi/