Telegrafi

Rashica intervistë për Bild: Kosova, familja, bamirësia, Werder Bremen, ambiciet dhe e ardhmja

Prestigjiozja gjermane Bild e ka intevistuar yllin e Përfaqësueses së Kosovës dhe Werder Bremenit, Milot Rashicën.

Ai luan me klubin gjerman që nga fillimi i vitit 2018 dhe tashmë është shndërruar në pikë më të fortë të skuadës falë asaj që tregon në fushë me lojë dhe me gola.

23-vjeçari tregon për dashurinë që ndjen në vendlindje dhe  ambiciet që i ka em klubin e Werder Bremen.

“Kosova? Të gjithë janë të çmendur për futbollin atje. Unë mendoj se jam një nga lojtarët më të famshëm në vend. Përpiqem ta përdor atë vëmendje për të bërë sa më mirë”, thotë fillimisht Rashica.

Rashica pati rast të mirë shënimi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Rashica kërkon të jetë shembull edhe në jetën shoqërore të Kosovës. Pak kohë më parë mbështeti financiarisht një organizatë bamirësie gjatë muajit të Ramazanit: “Ishte një ndjenjë e bukur. Nuk ka më mirë se të jesh në gjendje t’i ndihmosh njerëzit në nevojë”.

Rashica është shumë i lidhur me Kosovën. Kur udhëton me ekipin kombëtar, gjithmonë përpiqet të planifikojë kohë për familjen.

“Familja më ndjek edhe në stërvitje. Të gjithë miqtë e mi janë atje. Kur kemi ndonjë ditë pushimi, shpesh udhëtoj për në shtëpi, e shijoj në maksimum kohën atje”.

Milot Rashica (Foto: Getty Images/Guliver)

Werder Bremeni e humbi për vetëm një pikë mundësitë për të luajtur në Ligën e Evropës.

Pavarësisht largimit të sulmuesit kryesor të ekipit, Max Kruse, Rashica është optimist.

“Ne kemi mbajtur pothuajse të gjithë ekipin, e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Mendoj se mund të kualifikohemi në Ligën e Evropës, sepse kemi një ekip të mirë. Do të bëj gjithçka që mundem për të shënuar sa më shumë gola”, deklaroi ai.

Milot Rashica duke festuar golin e dytë personal ndaj Schalkes (Foto:Werder Bremen/Twitter)

“E ardhmja? Për të gjitha këto gjëra kam menaxherin tim, i cili është gjithashtu një mik i mirë. Sigurisht që gjithmonë ka interes nga klubet, por nuk shqetësohem aspak për këtë.

“Zgjatje e kontratës që tani? Nëse është më mirë për mua dhe gjejmë një zgjidhje, do ta bëjmë këtë. Sidoqoftë, tani për tani nuk jam duke menduar për këtë temë”, nënvizoi Rashica. /Super sport/