Milot Rashica ka qenë një ndër surprizat më të bukura të këtij sezoni jo vetëm për Vitessen, por edhe për të gjithë fansat e kombëtares shqiptare. Lojtari nga Vushtrria ka spikatur në shumë takime për ekipin holandez, duke qenë jo pak herë vendimtar.
Këtë fakt e konfirmojnë edhe statistikat, ku në këtë ligë 19 vjeçari mban vendin e 2-të përsa i përket driblimeve. Një cilësi mjaft e mirë që futbollisti shqiptar e disponon. Ai ka marrë iniciativën në 154 raste duke realizuar me sukses 61 dribilme.
Sigurisht një numër jo i ulët po të llogaritet edhe eksperienca e pakët e Rashicës në këto nivele. Në vendin e parë ndodhet mesfushori maroken i Twentes, Hakim Zijek.
Rashica në këtë edicion ka zbritur në fushë në 25 ndeshje duke realizuar 7 gola, ndërkohë që duke iu referuar edhe portalit të specilizuar në vlerësimin financiar të lojtarëve në treg Transfermarket, vlera e 19 vjeçarit është rritur ndjeshëm, ku aktualisht kartoni i tij llogaritet të kushtojë 2 milionë euro, përcjell ksp.
Për mesfushorin e përfaqësueses së 21 vjeçarëve është interesuar së fundmi klubi i Napolit, ai gjithashtu është nën vëzhgim edhe nga ana e drejtuesve të Chelseat.