Marcus Rashford i ka bllokuar bisedimet për kontratën e re me Manchester Unitedin, pasi është i frikësuar se klubi nuk po shkon në drejtimin e duhur nën menaxhimin e Ole Gunnar Solskjaer.
Sulmuesi i Djajve të Kuq ishte afër vazhdimit të kontratës, por tani bisedimet kanë ngecur dhe është duke kërkuar më shumë siguri nga klubi se në sezonin e ri mund të luftojnë për trofe të mëdhenj.
Siç raporton The Sun, Rashford e ka njoftuar klubin se nuk dëshiron t’i vazhdojë bisedimet për kontratën e re, derisa situata me Solskjaer të qartësohet dhe t’i shikojë transferimet që do të ndodhin në verë.
21-vjeçari dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve, mirëpo skuadra angleze përfundoi në pozitën e gjashtë në këtë sezon, ashtu që do të luajë në Ligën e Evropës në edicionin e ri.
Po ashtu, Rashford dëshiron të sigurohet edhe për lojtarët që do të qëndrojnë në skuadër, si David de Gea dhe Paul Pogba, e nëse ndodh e kundërta, ai do ta kërkojë largimin qysh në këtë verë. /Telegrafi/