Një gjykatë në Bjellorusi dënoi të enjten dy gazetarë – me dy vjet burg – me akuzat e orkestrimit të demonstratave kundër presidentit Alexander Lukashenko.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Katsiaryna Andreyeva dhe Daria Chultsova nga TV Belsat i Polonisë u arrestuan në nëntor në një apartament në Minsk.
Ato po transmetonin në vazhdimësi protestat që po zhvilloheshin në mbështetje të një demonstruesi i cili u vra disa ditë më parë.
Andreyeva i tha gjykatës përpara vendimit se do të punojë për të ndërtuar “një Bjellorusi që nuk do të ketë shtypje politike” ndërkohë që një avokat i tyre ka thënë se do të apelojnë vendimin.
Ndryshe, në Bjellorusi ka pasur demonstrata masive, pas zgjedhjeve të diskutueshme të gushtit që kundërshtarët e Lukashenkos thanë se ishin manipuluar për t’i dhënë atij një tjetër mandat.
Por Lukashenko ka mohuar që zgjedhjet të ishin të manipuluara.
Ndërkohë një “goditje” e mëvonshme e protestave ka çuar në arrestime të mijëra njerëzve dhe ka shtyrë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian të vendosin sanksione kundër zyrtarëve në Bjellorusi. /Telegrafi/