Shtetet e Bashkuara kanë realizuar një sulm në Siri duke synuar vrasjen e udhëheqësit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.
Sipas raporteve të shumta të medieve ndërkombëtare, një zyrtar amerikan ka thënë se operacioni kishte për synim vrasjen e tij, por nuk është konfirmuar se nëse ai është kapur apo vrarë, përcjell Telegrafi.
Newsweek sipas burimeve të një zyrtari të ushtrisë amerikane, thotë se operacioni është zhvilluar në provincën e Idlibit të Sirisë.
Duke përmendur dy zyrtarë të lartë të administratës amerikane, New York Times raporton se komandot e operacioneve speciale amerikane kishin kryer një sulm në veri-perëndim të Sirisë kundër një udhëheqësi të lartë terrorist atje, por nuk kanë treguar se për kënd bëhet fjalë.
Sipas burimeve siriane, thuhet se Al Bagdadi është vrarë.
“Irani u informua për vdekjen e Al Bagdadit nga zyrtarët që kanë marr pjesë në aksion”, tha një zyrtarë sirian për Reuters, përcjell Telegrafi.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan, Donald Trump, do të mbajë një “fjalim të madh” të dielën, por nuk dha detaje të tjera.
Trump, paraprakisht, shkroi në Twitter se, “diçka shumë e madhe sapo ka ndodhur”.
Something very big has just happened!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) October 27, 2019
Baghdadi është përshkruar si njeriu më i kërkuar në botë.
Në tetor të vitit 2011, SHBA-ja e ka shpallur atë “terrorist” dhe ka ofruar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për informacione që çojnë në kapjen ose vdekjen e tij.
Baghdadi ka lindur pranë Samaras, në veri të Bagdadit, në vitin 1971, dhe emri i tij i vërtetë është Ibrahim Aëad al-Badri. /Telegrafi/