Sipas disa raporteve, Elon Musk ka kërcënuar ata “pak” punëtorë të Twitter që vazhdojnë të japin informacione konfidenciale tek mediat.
Zoë Schiffer e Platformer e mori një kopje të e-mailit të shtunën, por nuk e postoi dokumentin në internet, duke shkruar se këtë e bëri për shkak se “Twitter po bën gjithçka që mundet për t’i kapur burimet”.
Sipas cicërimave të Schiffer, Musk në e-mail kishte shkruar: “Siç është evidentuar nga shumë informata konfidenciale të rrjedhura të Twitter, disa persona në kompaninë tonë vazhdojnë që të veprojnë në një mënyrë e cila bie në kundërshtim me interesat e kompanisë dhe në shkelje me NDA-në e tyre”, transmeton Telegrafi.
Ai tutje shtoi: “Kjo që po e them tani do të thuhet vetëm një herë: Nëse në mënyrë të qartë dhe të qëllimshme ju e shkelni NDA-në të cilën ju e keni nënshkruar kur i jeni bashkuar kompanisë, ju e pranoni përgjegjësinë në masën e plotë të ligjit dhe Twitter do të kërkojë menjëherë dëmshpërblim”.
Sipas e-mailit, stafi kishte kohë deri në orën 17:00 sipas kohës lokale të shtunën për të nënshkruar një garanci.
Ndërsa, një burim brenda Twitter për Business Insider gjithashtu e konfirmoi se Musk e ka dërguar e-mailin tek stafi i Twitter. /Telegrafi/