Site icon Telegrafi

Raportimi i Simmonsit para deputetëve të kuvendit për keqpërdorimet e EULEX-it, po konsiderohet pa efekt juridik

Malcolm Simmons

Ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, do të raportojë më 12 korrik para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për pretendimet e tij të kamotshme për korrupsion dhe keqpërdorime në këtë mision.

Që nga viti 2017 kur u largua nga EULEX-i, Simmons ka ngritur akuza të shumta për këtë mision të Bashkimit Evropian, përfshirë ato për ndërhyje në hetime penale, kërcënime ndaj dëshmitarëve të mbrojtur, përpjekje për të ndërhyrë në gjykime, fshehje të provave, ndërhyrje në çështjet penale për qëllime politike si dhe për afera korrupsioni.

Misioni i EULEX-it thotë se respekton vendimin e Kuvendit të Kosovës për ta dëgjuar ish-gjyqtarin Simmons, por në të njëjtën kohë thotë se është i “vetëdijshëm se Simmons do të paraqesë një version të njëanshëm dhe të pabazuar të pretendimeve për keqpërdorimeve gjatë kohës së tij si gjykatës në EULEX”.

Ndërkohë juristët në Kosovë thonë se pavarësisht asaj se çfarë mund të dëshmojë ish-gjyqtari Simmons në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët e EULEX-it kanë imunitet dhe nuk mund të ndiqen penalisht nga institucionet kosovare për veprimet që mund t’i kenë kryer gjatë mandatit të tyre në Kosovë.

Vazhdimësia e akuzave të Simmons

Që nga viti 2017 kur Simmons u largua nga misioni i EULEX-it, bëri akuza të shumta për keqpërdorime dhe ndikime politike në procese gjyqësore që udhëhiqeshin nga EULEX-i.

Në dorëheqjen e tij në vitin 2017, Simmons EULEX-in e quajti mision politik që synonte që në Kosovë të largonte nga jeta publike individë dhe politikanë me ndikim.

Në të kaluarën, në media kishin rrjedhur komunikime të gjyqtarit Simmons me zyrtarë të EULEX-it në të cilat pretendohej se ai kishte ngritur dyshime për keqpërdorime dhe ndikime në proceset gjyqësore.

Ka disa ditë që kur Radio Evropa e Lirë ka provuar të komunikojë me ish-gjyqtarin Simmons, por ai nuk i është përgjigjur interesimit.

Përkundër kësaj ai ka vazhduar me akuza ndaj EULEX-it.

Lexo po ashtu Më 12 korrik, Simmons raporton në Kuvendin e Kosovës për skandalet e EULEX-it

Së fundmi në profilin e tij në platformën Twitter, Simmons ka hedhur dyshime se misioni i EULEX-it i kishte dorëzuar dosje të krimeve të luftës shtetit të Serbisë, gjë që u mohua nga zyrtarët e këtij misioni.

Por, përderisa Simmons nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesi i tij në Kosovë, avokati Artan Çerkini, thotë se në Komisionin për Legjislacion në Kuvendit të Kosovës, Simmons ka për qëllim që të rrëfejë të gjitha informacionet që ka për keqpërdorime në EULEX.

“Zoti Simmons dëshiron të dëshmojë se në disa prej rasteve që ai i di parimet e gjykimit të drejt dhe të paanshëm nuk janë zbatuar nga një mision për zbatimin e ligjit, siç ka qenë EULEX-i”, thotë Çerkini.

Çerkini thotë se Simmons mendon se Komisioni për Legjislacion duhet t’i kërkojë Kuvendit të Kosovës formimin e një Komisioni Hetimor për të hetuar pretendimet e tij për keqpërdorime në EULEX.

“Komisioni Parlamentar për Legjislacion në bazë të Ligjit për hetim parlamentar ka mundësi që t’i propozojë kuvendit që të themelojë komision hetimor dhe se a do ta bëjë një gjë të tillë do të varet edhe nga epilogu i dëgjimit të Simmons të caktuar për datën 12 korrik”, thotë Çerkini.

EULEX thotë se Simmons u hetua për shkelje

Një version krejt tjetër për akuzat e ish-gjyqtarit Simmons e ka Misioni Evropian për Sundim të Ligjit EULEX.

Në këtë mision thonë se pas akuzave që bëri Simmons në vitin 2017, një ekip i pavarur hetimor i udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë hetoi pretendimet e tij, por se ai dështoi që të mbështeste akuzat që kishte ngritur.

“Sidoqoftë kur iu dha mundësia për të mbështetur pretendimet e tij të ndryshme, Simmons dështoi që t’i ofrojë ekipit hetimor ndonjë provë që do të mbështesnin pretendimet e tij, përfshirë disa nga çështjet për të cilat ai tani ankohet, duke zgjedhur kështu që ankesat e tij t’i transmetojë në domenin publik”, thotë EULEX.

Më tej misioni i EULEX-it thotë se Simmons ka dështuar në çdo përpjekje të tij ligjore që të vërtetojë akuzat për keqpërdorime në këtë mision dhe pretendimet e tij i quan “lajme të rreme”.

EULEX thotë se ish-gjyqtari Malcolm Simmons ka qenë vet subjekt i hetimeve të pavarura për akuza serioze për keqpërdorim gjatë kohës sa ka ushtruar funksionin e gjyqtarit në këtë mision.

“Z. Simmons ishte subjekt i hetimeve të pavarura për akuza serioze të keqpërdorimeve të mundshme në tri raste individuale gjatë kohës së tij si gjykatës në EULEX. Këto hetime u kryen dhe finalizuan nga një ekip i cili u formua dhe u vendos në Bruksel dhe që kryesohej nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, thotë EULEX.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar qasje në raportin e hetimeve të zhvilluara nga Bashkimi Evropian ndaj ish-gjyqtarit Simmons si nga misioni i EULEX-it po ashtu nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët për informimin në kuadër të zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë sugjeruar që t’ju referohemi përgjigjeve të misionit të EULEX-it.

Ndërkohë, misioni i EULEX-it në Kosovë ka thënë se për shkak të konfidencialitetit nuk mund të ndajë raportin e hetimeve, por thonë se të gjeturat e hetimit i janë dorëzuar ish-gjyqtarit, Malcolm Simmons si dhe autoriteteve britanike të cilat sipas tyre duhet të vendosin nëse do të ketë ndonjë veprim ndaj zotit Simmons apo jo.

Institucionet e Kosovës nuk mund t’i hetojnë zyrtarët e EULEX-it

Juristi Ehat Miftaraj, njëherësh drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, beson se raportimi i ish-gjyqtarit Simmons ka për qëllim vetëm informimin pasi sipas tij, bazuar në marrëveshjen e Kosovës me BE-në sa i takon EULEX-it, prokurorë e gjyqtarë të EULEX-it kanë pasur imunitet.

“Çdo pretendim i z.Simmons në Kuvendin e Kosovës është subjekt i imunitetit pasi që gjyqtarët dhe prokurorët, stafi i misioni të EULEX-it në Kosovë në marrëveshje me Republikën e Kosovës kanë pasur imunitet të plotë për çdo veprim të tyre”, thotë Miftaraj.

Si rrjedhojë, sipas Miftarajt, institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë kompetencë për të zhvilluar çfarëdo hetimi penal apo administrativ në këtë rast.

Radio Evropa e Lirë ka provuar që të flasë me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Legjislacion për faktin se pse do të raportojë në këtë komision Simmons, por ata nuk i janë përgjigjur interesimit të REL-it.

Simmons nuk është i vetmi që akuzoi misionin e EULX-it

EULEX u godit nga akuza për keqpërdorime edhe nga zyrtarë të tjerë që kishin punuar në këtë mision.

Akuza për keqpërdorime dhe korrupsion kishte ngritur edhe ish-prokurorja britanike, Maria Bamieh. Ajo akuzoi këtë mision për largimin të padrejtë nga puna pasi bëri akuza për korrupsion kundër prokurorëve dhe gjykatëseve ndërkombëtarë që shërbenin në Kosovë.

Bamieh pretendonte se kishte qenë në njohuri se si një gjyqtar i EULEX-it kishte pranuar rreth 300 mijë euro në kompensim për të liruar nga akuzat një ish-zyrtar të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas largimit nga ky mision, Bamieh ka vazhduar betejën e saj ligjore kundër EULEX-it në Britani të Madhe.

EULEX është misioni më i madh i dërguar jashtë vendi nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë.

Që nga ardhja në Kosovë në vitin 2008 ky mision i ka kushtuar BE-së qindra miliona euro. Bazuar në vendimin e fundit të mekanizmave të BE-së, EULEX-i ka mandat deri më 14 qershor, 2023 duke pasur një mandat të kufizuar.

Exit mobile version