Platforma “Ndreqe.com” vazhdon të jetë një adresë e besueshme ku qytetarët mund të paraqesin ankesat dhe shqetësimet e tyre rreth problemeve që hasin në infrastrukturë dhe në ambientet ku ata jetojnë.
Banorët e qytetit të Istogut përmes kësaj platforme kanë bërë të ditur shqetësimin e tyre për mungesën e ujit në banesa, një problem që duket se nuk po gjen zgjidhje pavarësisht premtimeve të shumta.
Kjo situatë ka ngjallur pakënaqësi të thellë në mesin e qytetarëve, të cilët shohin se uji shpërdorohet për qëllime komerciale, ndërsa për nevojat e tyre elementare ata janë të detyruar të përballen me kufizime të rënda.
Sipas qytetarit, përveç mungesës së ujit në banesa, një problem tjetër i madh është ndotja e ambientit.
Ai ka vazhduar duke theksuar se autolarjet dhe bizneset e tjera që përdorin sasi të mëdha uji jo vetëm që e shpërdorojnë këtë resurs të çmuar, por edhe ndotin ambientin, raportimin e të cilit mund ta shihni këtu: https://ndreqe.com/report/8184
“Si është e mundur qe as ujë për gjera elementare nuk kemi në banesa, përkundër qe aq shumë ujë derdhet nëpër bizneset, si në ‘Trofta’, në fabrikën e ujit ‘Mokna’, në autolarjet e shumta në qytet e që jo vetem ujin e pijes e shpërdorojnë por edhe e ndotin në mas të madhe qytetin”, ka shkruar ndër të tjera qytetari.
Ndryshe Telegrafi është duke pritur përgjigjen nga Komuna e Istogut për këtë shqetësim të qytetarëve.
Qytetarët përmes platformës “Ndreqe.com” , kërkojnë veprim të menjëhershëm nga autoritetet për të adresuar këto probleme.
Uji është një e drejtë bazike, dhe çdo shpërdorim apo menaxhim i dobët i tij është i papranueshëm.