Telegrafi

Raporti i UNDP-së, 36.8 për qind e të anketuarve të pakënaqur me drejtimin ekonomik aktual

Është publikuar edicioni i 26-të i Përmbledhjes së Pulsit Publik, ndërkaq të dhënat për këtë janë mbledhur nga 17 prilli deri më 7 maj 2024, duke reflektuar opinionin e mbi 1,300 të anketuarve.

Përveç tjerash, anketimi i opinionit të Pulsit Publik nxjerr në pah perceptimet e njerëzve për çështjet socio-ekonomike.

Një rritje pozitive e perceptimit për drejtimin ekonomik është shënuar në anketën e majit të vitit 2024, ku 27.3% janë deklaruar shumë të kënaqur ose të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës, krahasuar me 20.20% në maj të vitit 2023.

Gjithsej 35.9% e të anketuarve kanë qenë neutral krahasuar me 32.1% në nëntor të vitit 2023, dhe 36.8% kanë qenë shumë të pakënaqur ose të pakënaqur krahasuar me 47.70% në nëntor të vitit 2023.

Një numër më i madh i burrave (31.2%) krahasuar me gratë (23.4%) kanë qenë shumë të kënaqur apo të kënaqur me drejtimin ekonomik drejt së cilit po shkon Kosova.

Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike kanë treguar se 44.2% e komuniteteve tjera të Kosovës janë shumë të kënaqur ose të kënaqur me drejtimin ekonomik, krahasuar me 26.8% të shqiptarëve të Kosovës dhe 11% të serbëve të Kosovës.

Të dhënat e majit të vitit 2024 tregojnë rritje të kënaqshmërisë me drejtimin ekonomik tek të gjitha etnitë, krahasuar me nëntorin e vitit 2023, kur 28.8% e komuniteteve të tjera të Kosovës kanë qenë të kënaqur me drejtimin ekonomik, të pasuar nga 19.5 % të shqiptarëve të Kosovës dhe 7.6% të serbëve të Kosovës. /Telegrafi/