Skuadra e Partizanit ka reaguar pas publikimit të raportit të UEFA-s ku akuzohet skuadra kampione e Skënderbeut dhe disa zyrtarë të tjerë për trukim ndeshjes.
Kryeqytetasit kërkojnë nga Federata e Shqiptare e Futbollit që të mbajë një qëndrim dhe t’u kalojë atyre titullin kampion të sezonit të kaluar. Sipas këtij klubi, me zbardhjen e këtij vendimi, secili do të marrë atë që meriton.
“Për aq kohë sa UEFA na njohu si kampionë të Shqipërisë, që na cilësoi si të denjë për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, do ishte e nevojshme që edhe organi që drejton futbollin në Shqipëri, FSHF, të mbante një qëndrim. Ose të bëhej palë me klubin që ka trukuar disa ndeshje sezonin e kaluar (faktuar nga të gjitha organet gjyqësore sportive), ose të distancohej dhe të merrte masat e caktuara ndëshkuese, siç e përcakton rregullorja e këtij sporti”, thuhet në deklaratë, raporton tch.
Sipas tyre, Partizani nuk kërkon asnjëherë trofe të padrejtë, por kërkon drejtësi. “Klubi i Partizanit i kërkon Federatës Shqiptare të Futbollit që t’i kthejë atë pak nder të mbetur sezonit të kaluar, thjesht për të vlerësuar si duhet kontributin e ndershëm të atyre djemve që kanë dhënë maksimumin në fushën e lojës”, vijon deklarata.
“Demat” urojnë që pandëshkushmëria e “krimit” të mos bëhet precedent. “Më mirë drejtësi të vonuar, se sa drejtësi të munguar”, mbyllet deklarata.