Në botë çdo shtatë sekonda martohet një vajzë më e re se 15 vjet, thuhet në raportin e fundit të organizatës “Save the Children”.
Në raport thuhet se vajzat e moshës 10-vjeçe detyrohen të martohen me burra shumë më të vjetër se ato, dhe kjo ndodh në vendet si: Afganistani, Jemeni, India dhe Somalia, transmeton Telegrafi.
Sipas kësaj organizate, martesat e parakohshme mund të shkaktojnë një varg çrregullimesh në jetën e mëvonshme.
Faktorët kyç që ndikojnë në ekspozimin e fëmijëve ndaj konflikteve të martesave të parakohshme, janë luftërat, varfëria dhe krizat humanitare.
“Vajzat që martohen në këtë moshë ndërpresin mësimin, përballen me dhunë në familje, përdhunime dhe abuzime. Mbesin shumë herët shtatzënë dhe shpesh vuajnë nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, duke përfshirë HIV/AIDS-in”, ka thënë Helle Thornin-Schmidt, drejtor i organizatës “Save the Children”.
Në raport janë të renditur vendet që janë më të këqijat bazuar në arsimimin e vajzave, martesën e fëmijëve, shtatzëninë në vitet e adoleshencës, normat e vdekshmërisë së nënave dhe numrin e grave në parlament.
Në fund të kësaj liste figurojnë Çadi, Nigeria, Republika Qendrore e Afrikës, Mali dhe Somalia. Derisa, India është përshkruar si shteti me numrin më të madh të rasteve të martesës së vajzave.
Në raport thuhet se në vajzat më të rrezikuara janë ato në kampet e refugjatëve, derisa shumë familje refugjatë martojnë shumë herët vajzat e tyre në mënyrë që të evitojnë varfërinë apo shfrytëzimin seksual.
Gjithashtu në raport përmendet shembulli i refugjates 13-vjeçe nga Siria, e cila është martuar në një libanez 20-vjeçar. Ajo tani ka 14 vjet dhe është në muajin e dytë të shtatzënisë.
Sipas UNICEF-it, numri i martesave me vajzat nën moshën 15-vjeçe që aktualisht është 700 milionë, pritet që deri në vitin 2030 të rritet në 950 milionë. /Telegrafi/