Site icon Telegrafi

Raporti për shkarkimin e Metës, Presidenca: Zero shqetësim, vendimet janë antiligjore

Presidenca e Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas akuzave nga komisioni Hetimor për pjesëmarrjen e tij në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit kundër Partisë Socialiste.

Presidenca ka reaguar përmes zëdhënësit Tedi Blushi, i cili bën të ditur se nuk do të japin asnjë koment e se nuk kanë shqetësim në lidhje me vendimet nul apo veprimtaritë që po kryhen nga një Kuvend njëpartiak.

Në fund, Blushi bën të ditur se Meta do të jetë në detyrë deri më 24 korrik 2022.

“Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar”, shkruan Blushi. /Telegrafi/ 

Exit mobile version