Telegrafi

Raporti KLSH: 73 mln USD dëmi ekonomik, paditen 9 zyrtare

Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën e aktivitetit financiar te zhvilluar ne vitet 2007-2008 dhe 9-mujorit të vitit 2009, thuhet në raportin përmbledhës të kontrolleve, të kryera gjatë vitit të kaluar. GSH duke iu referuar raportit shkruan sot se periudha kohore gjatë së cilës janë konstatuar më shumë shkelje, është ajo para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Në vitin 2008 ishin konstatuar nga KLSH-ja, 4 mld lekë abuzime.
Në 2007, KLSH raportoi një dëm prej 2 miliardë lekësh. Shkeljet më të rënda raportohen në aktivitetin e Tatim-Taksave ku shtetit i është shkaktuar një dëm prej mbi 2.5 miliardë lekësh.

 Pason aktiviteti i dhënies me qira apo i shitjes së pronave shtetërore, ku dëmi i konstatuar gjatë këtij viti është në masën 3.2 miliardë lekë. Abuzimet e vërejtura gjatë prokurimeve publike janë në masën 431 milionë lekë, ato në aktivitetin doganor 300 milionë lekë, ndërkohë që shkeljet financiare gjatë vetë-shpërblimit të administratës që paguhet me paratë e taksave, llogariten në 234 milionë lekë të reja.

Janë edhe afro 566 milionë lekë abuzime që kategorizohen në zërin “të ndryshme”. Kontrolli i lartë të shtetit, i ka kërkuar Prokurorisë që të fillojë ndjekjen për abuzim me detyrën për nëntë zyrtarë të lartë të shtetit.
Në raportin final të KLSH nuk janë vendosur emrat konkretë të zyrtarëve të propozuar.

Veprimtaria e tyre që do të hetohet nga prokuroria i përket vitit 2009. GSH shkruan sot se zyrtarët kanë qenë punonjës drejtues në Agjencinë rajonale të Shërbimit Tatimor Durrës, Agjencia rajonale e shërbimit tatimor Fier, Korçë, në komunën Rrashbull, Durrës, Komunën Luz i Vogël Kavajë, Drejtorinë e Shërbimit Pyjor dhe në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për tre zyrtarë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, për dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit për vitin 2009 nga zyrtarët e administratës së lartë publike, është kërkuar gjithashtu zhdëmtimi i 73 milionë dollarëve në vlerën 100 përqind nga ana e këtyre punonjësve, pavarësisht nëse kjo është bërë me dashje apo pa dashje. /Balkanweb/