Site icon Telegrafi

Raporti i Grupit të Punës të MPB-së për 27 prillin e dhunshëm duhet të publikohet tërësisht (Video)

Ekspertët vlerësojnë se raporti i Grupit të punës pranë MPB-së për zhvillimet e 27 prillit në Kuvend duhet të zbardhet dhe opinioni të mësojë sa më shumë për veprimet e strukturave të MPB-së gjatë natës së përgjakshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Raporti i publikuar ditë më parë vërtetoi ndikimin politik brenda MPB-së por ministri i brendshëm Oliver Spasovski tha se të dhënat janë të klasifikuara. Profesori Bashkim Selamni konsideron se hetimi duhet zgjeruar edhe në instanca më të larta shtetërore.

”Grupi thotë se mënyra e Çavkovit ka qenë e paqartë në lëvizje dhe funksionimin e tij. Po cilat kanë qenë ato paqartësi?! Ky është një raport formal i fazës paraprake dhe unë mendoj se i njëjti duhet të ndahet edhe në disa struktura të tjera në mënyrë të analizuar dhe të detajuar sepse ka një hierarki nga e cila burojnë disa vepra penale si keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe sulmi ndaj shtetit. Nuk kemi të bëjmë me tentim vrasje ndaj deputetëve, por tentim vrasje ndaj shtetit”, deklaroi për Alsat-M, profesori Bashkim Selmani.

MPB raportin e ka dorëzuar në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion. Nëse dikasteri i Brendshëm has në obstruksione nga organi i akuzës, atëherë edhe Prokuroria duhet të përgjigjet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

”MPB tashmë posedon akomodim më të madh porsa i përket hetuesisë. Nëse eventualisht do të ketë obstruksione nga ana e Prokurorisë, atëherë faji do t’i kalojë atyre sepse për momentin faji gjendet në MPB”, tha Selmani.

Raporti i publikuar një ditë më parë nga MPB konstatoi dyshimet të cilat kryesisht i kishte ngritur edhe televizioni Alsat që pas natës së përgjakshme në Kuvend. Raporti ka dëshmuar se dyert janë hapur nga deputetët e OBRM-PDUKM-së, nuk ka funksionuar tetra-sistemi i komandove në MPB, koordinatori i Shtabit operativ nuk ka kontaktuar me ministrin e Brendshëm, nuk ka funksionuar skenari për neutralizimin e turmës si dhe shërbimet nuk kanë informuar paraprakisht për përshkallëzim të mundshëm të protestës. Lidhur me lëshimet dhe shkeljet e dala nga raporti, u njoftua se ministria e Brendshme ka zhvilluar biseda informative me 180 shërbyes policorë, 23 prej tyre janë suspenduar ndërsa ndaj 45 është proceduar me masa disiplinore./Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=Iq2IkDDBQFQ

Exit mobile version