Telegrafi

Raporti i EMCDDA, MB: Nxjerrim vendin nga harta e kultivimit të kanabisit

Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, EMCDDA, me seli në Lisbonë publikoi sot Raportin Vjetor Europian të Drogave ku Shqipëria përmendet për rritjen e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të narkotikëve në Europë.

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, pasi është njohur me raportin shprehet se është thellësisht i angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Bëhet e ditur se Demiraj ka filluar një komunikim intensiv jo vetëm me drejtuesit e policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si drejtorin e Shërbimit Informativ, kryeprokurorin dhe prokurorin e Krimeve të Rënda, për të pasur një reagim më të koordinuar për një luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni.

Përmes një deklarate lëshuar për mediat, Ministria e Brendshme thekson se kjo luftë do të shtrihet që nga kontrolli tërësor i territorit të vendit deri tek shkatërrimi i grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe të implikuarve nga radhët e punonjësve të Policisë.

Gjithashtu Ministri i ri teknik, Dritan Demiraj, përgëzon punën goditëse të Policisë së Shtetit në parandalimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike dhe garanton mbështetje plotë të të gjitha strukturave për zbatimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017–2020.