Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare është duke shqyrtuar projektrezolutën për adresimin e gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
Kjo pikë është propozuar nga partitë opozitare.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se në këtë seancë do duhej ta kishim edhe kryeministrin.
Ai ka shtuar se në vazhdën e disa raporteve që kanë goditur Republikën e Kosovës për shkak të korrupsionit, shkeljes së të drejtave të njeriut, dhunës ndaj gazetarëve e shumë çështje të tjera, javën që lamë pas Kosova u godit edhe nga dy raporte për gjendjen dhe situatën e saj të brendshme.
“DASH publikoi raportin për Kosovën ku thuhet që të drejtat e njeriut jo që kanë shënuar progres por ka edhe regres. Përmendet dhuna ndaj gruas në një ambient jo miqësor, dhuna ndaj gazetarëve, ndaj komuniteteve të margjinalizuara. E ajo që është më shqetësuese është niveli i lartë i korrupsionit. Kjo është shqetësuese sepse 1/3 e ministrave të kësaj qeverie janë në hetime për afera korruptive”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka shtuar se e gjithë kjo situatë që është krijuar si rezultat i kësaj qeverisje, e dëshmon atë që kemi kërkuar në vazhdimësi që ky Kuvend duhet të mblidhet sa më parë dhe të diskutojmë datën e zgjedhjeve.
“Ky Kuvend është shndërruar në barrierë për ti mbrojtur të korruptuarit në vendin tonë”, tha Tahiri. /Telegrafi/