Site icon Telegrafi

Raporti i DASH-it: Kosova luftoi rrezikun e terrorizmit nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për Terrorizmin ku përmblidhen arritjet dhe sfidat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të luftuar dhe mposhtur organizatat terroriste gjatë vitit 2018.

Me gjithë arritjet kundër organizatës terroriste Shteti Islamik, raporti thotë se Evropa vazhdon të përballet me një numër kërcënimesh nga organizata të huaja terroriste, nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, nga terrorizmi i kultivuar brenda vendit, si dhe nga terroristët e mbështetur nga Irani.

Në raport thuhet se Kosova vazhdoi të luftojë rrezikun e terrorizmit nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova vazhdon të jetë vend anëtar i Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS-it.

Mbi 400 burra, gra dhe fëmijë kosovarë kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar grupeve terroriste. Rreth 70 prej tyre kanë humbur jetën. Rreth 130 individë u kthyen në Kosovë, ndërsa rreth 200 të tjerë vazhdonin të qëndronin në zonat e konfliktit.

Situata politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdoi të kufizojë mundësitë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj. Megjithatë qeveria e Kosovës forcoi masat ligjore kundër terrorizmit dhe miratoi një strategji të re anti-terror për periudhën 2018-2022.

Autoritetet e zbatimit të ligjit demonstruan kapacitetet e duhura për të diktuar dhe parandaluar disa plane terroriste në Kosovë dhe jashtë saj, ndërkohë që Departamenti Amerikan i Shtetit i mbështeti këto përpjekje nëpërmjet Programit të Asistencës Kundër Terrorizmit.

Ndër nëntë rastet gjyqësore dhe hetimore për 29 të dyshuar, përmendet edhe ai i muajit maj 2018, kur u dënuan tetë të akuzuar për planifikimin e një sulmi në Shqipëri ndaj ekipit izraelit të futbollit, si dhe më herët ndaj objekteve të tjera në Kosovë.

Qeveria e Kosovës vlerësohet se ka vazhduar të demonstrojë vullnetin e nevojshëm politik për zbatimin e ligjit dhe sigurinë kufitare, e mbështetur nga një asistencë e konsiderueshme e Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë në programet kundër ekstremizmit të mundshëm, zbatimi ka qenë jo i njëtrajtshëm nga ministritë e ndryshme dhe vazhdojnë të ekzistojnë sfida për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve të duhura.

Ndër vendet evropiane që ndërmorën hapa konkretë kundër terrorizmit të mbështetur nga regjimi iranian, përmendet edhe Shqipëria. Në seksionin për Shqipërinë thuhet se vendi vazhdoi të mbështesë me forcë përpjekjet anti-terror, si dhe vazhdoi të marrë pjesë në Koalicionin Global për Mposhtjen e ISIS-it.

Kërcënimi terrorist në Shqipëri vjen nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, si dhe nga përpjekjet për radikalizimin e rinisë shqiptare drejt dhunës.

Në dhjetor të vitit 2018, Shqipëria dëboi dy zyrtarë iranianë, përfshirë ambasadorin iranian, në përgjigje të një plani të sponsorizuar nga Irani për kryerjen e një sulmi terrorist në Shqipëri. Shqipëria vazhdon të përfitojë nga programet e asistencës së financuara nga qeveria amerikane për trajnimin e prokurorëve, zyrtarëve të zbatimit të ligjit, hetuesve financiarë, analistëve të zbulimit dhe gjykatësve.

Me gjithë përpjekjet për parandalimin e financimit të terrorizmit, përmendet konkluzioni i MONEYVAL, organ i Këshillit të Evropës, që e vlerëson Shqipërinë me “efektshmëri të ulët” në tre drejtimet kryesore të financimit të terrorizmit: konfiskimin, hetimin dhe shtrirjen e sanksioneve financiare./Zëri i Amerikës/

Exit mobile version