Site icon Telegrafi

Raporti ‘Doing Business 2019’: Kosova zbret për katër vende

Kosova është në mesin e ekonomive të mbarë botës që ka pasur përmirësimin në reformat e të bërit biznes, thuhet në raportin e “Doing Business 2019”, të publikuar të mërkurën nga Grupi i Bankës Botërore, mirëpo vendi ynë për këtë vit ka zbritur për katër vende.

Këtë vit, vendi ynë radhitet në pozitën e 44-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 40-të ku ka qenë vitin e kaluar, duke theksuar se këto dy rangime nuk janë plotësisht të krahasueshme për shkak të rafinimit të metodologjisë në njërin prej dhjetë treguesve të matur nga ky raport.

Kosova radhitet e 13-ta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 51-ta në tregtinë ndërkufitare, e 100 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 95-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 113-ta në furnizimin me energji elektrike, e 50-ta në zbatimin e kontratave, e 44-ta në pagesën e tatimeve, e 37-ta në regjistrimin e pronës dhe e 50-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës, përcjell Telegrafi.

Çdo vit, raporti “Doing Business” në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për ndërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha: krijimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Megjithatë, ai nuk përfshinë të gjitha çështjet që janë me rëndësi për vendimet e bizneseve. /Telegrafi/

Exit mobile version