Banka Botërore në një raport të gjatë për ekonominë globale të publikuar më 10 janar, ka parashikuar që Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon në vitin 2023. Edhe përkundër kësaj, në raport thuhet se kjo mund të ndryshojë në raportin e radhës.
Konkretisht, Kosova parashihet të ketë një rritje ekonomike prej 3.7% në vitin 2023. Pas Kosovës në Ballkanin Perëndimor e dyta është Mali i Zi me 3.4%, e treta Bosnja me 2.5%, e katërta është Maqedonia e Veriut me 2.4%, Serbia me 2.3%, Shqipëria me 2.2% dhe Kroacia me 0.8%.
“Në Ballkanin Perëndimor, rritja parashikohet të ngadalësohet në 2.5 për qind në vitin 2023, pasi reformat e BE-së dhe investimet zbusin efektet negative të çmimeve të larta të energjisë dhe ushqimeve, ndërprerjet e flukseve tregtare dhe investimeve, si dhe rrjedhjet nga ngadalësimi në eurozonë” – thuhet në Raport.
Por, në Ballkanin Perëndimor, thotë Banka Botërore, ekziston një pasiguri e madhe politike, me rrezik që të vonohen në zbatimin e reformave dhe marrjes efikase të fondeve përkatëse. Për këtë përmenden shtetet si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Edhe për vitin 2024, Banka Botërore ka parashikuar rritjen ekonomike më të madhen në rajon për Kosovën. Sipas këtij raporti, Kosova parashikohet të ketë rritje 4.2% në 2024, Shqipëria 3.4%, Kroacia dhe Mali i Zi 3.1%, Bosnja dhe Serbia 3.0% dhe Maqedonia e Veriut 2.7%.
Bruto Produkti Vendor i Kosovës vazhdon të jetë më i ulëti në rajon. Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2021, Kosova BPV-në për kokë banori e kishte 5 mijë e 269 dollarë; Shqipëria e kishte 6 mijë e 492 dollarë; Mali i Zi 9 mijë e 465 dollarë; Bosnja e Hercegovina 7 mijë e 143 dollarë; Serbia 9 mijë e 230 dollarë dhe Maqedonia e Veriut 6 mijë e 694 dollarë.
Tutje, Banka Botëror në raport ka theksuar se prodhimi në përgjithësi në Evropë mund të tkurret në vitin 2023, nëse kriza energjetike thellohet dhe si pasojë mund të shkaktojë një rënie ekonomike në eurozonë, ose një recesion edhe më të fortë në Rusi.
“Që nga qershori, rreziqet negative lidhur me ndërprerjet e energjisë të shkaktuara nga lufta dhe importet nga Rusia, janë materializuar dhe si pasojë përkeqësoi perspektivën e rritjes, veçanërisht për Rusinë dhe eurozonën” – thuhet në Raport, njofton Kallxo.
Raporti i Bankës Botërore për ‘Perspektivat Ekonomike Globale’ thotë se në përgjithësi rritja globale po ngadalësohet ndjeshëm përballë inflacionit të ngritur, normave më të larta të interesit, uljes së investimeve dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Banka Botërore ka parashikuar që ekonomia globale të rritet me 1.7% në vitin 2023 dhe 2.7% në 2024.
“Kriza me të cilën përballet zhvillimi po intensifikohet ndërsa perspektiva e rritjes globale përkeqësohet”, citohet të ketë thënë presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass.
“Vendet në zhvillim po përballen me një periudhë shumëvjeçare të rritjes së ngadaltë të nxitur nga ngarkesat e mëdha të borxhit dhe investimet e dobëta, pasi kapitali global absorbohet nga ekonomitë e përparuara të përballura me nivele jashtëzakonisht të larta të borxhit të qeverisë dhe norma interesi në rritje”.
Raporti hedh gjithashtu dritë mbi dilemën e 37 shteteve të vogla, shtete me një popullsi prej 1.5 milion banorë ose më pak.
Këto shtete, bën të ditur Banka Botërore, pësuan një recesion më të mprehtë të COVID-19 dhe një rikthim shumë më të dobët se ekonomitë e tjera, pjesërisht për shkak të ndërprerjeve të zgjatura të turizmit.
Në vitin 2020, prodhimi ekonomik në shtetet e vogla ra me më shumë se 11% apo shtatë herë më shumë se rënia në ekonomitë e tjera në zhvillim.
Raporti i bën thirrje komunitetit global të ndihmojë shtetet e vogla duke ruajtur rrjedhën e ndihmës zyrtare për të mbështetur përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe për të ndihmuar në rivendosjen e qëndrueshmërisë së borxhit.
Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.