Site icon Telegrafi

Raporti i Auditorit: MKRS ka mbi 30 mijë euro avance të pambyllura për udhëtime zyrtare që nga viti 2010

Zyra Kombëtare e Auditimi ka gjetur se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka avance të pambyllura për udhëtime zyrtare që nga viti 2010.  

Sipas Auditorit, vlera e avancave të paarsyetuara deri në fund të vitit 2020 ishte 38,728 euro. 

Në raportin e ZKA-së për pasqyrat financiare vjetore (PFV) të MKRS për 2020, pjesa B3, thuhet se në një rast avanci i dhënë për pjesëmarrje në festivalin e Berlinit në vlerë 1,534€, nuk ishte arsyetuar dhe mbyllur brenda afatit ligjor prej 15 ditësh pas kthimit nga udhëtimi zyrtar.   

Mbyllja e tij ishte bërë me 9 muaj vonesë.  

Sipas Udhëzimit Administrativ Nr.2004/07 për Shpenzimet e Udhëtimeve Zyrtare, të gjitha avancat duhet të arsyetohen dhe shumat e pashpenzuara të kthehen në afat prej 15 ditësh pas kthimit nga udhëtimi.  

“Për më tepër në ministri kishte avance të hapura që nga viti 2010 për të cilat zyrtarët përgjegjës ende nuk kishin sjellë dëshmitë përkatëse për mbylljen përkatësisht arsyetimin e tyre. Vlera e avancave të paarsyetuara deri në fund të vitit 2020 ishte 38,728€. Kjo gjendje ka ardhur si rezultat që menaxhmenti i ministrisë nuk kishte ndërmarr veprime ligjore ndaj zyrtarëve përfitues për kthimin e mjeteve”, thuhet në raportin e ZKA-së për PFV t MKRS-së për 2020.  

Ministri, sipas raportit të ZKA-së, duhet të ndërmarrë veprimet për të gjitha avancat e paarsyetuara që nga viti 2010 deri në fund të vitit 2019, t’i arsyetojnë dhe mbyllin ato me zyrën e financave.   

“Në rast se nuk i posedojnë dëshmitë e duhura për arsyetimin e tyre, atëherë të kthehen paratë në buxhetin e ministrisë. Në të kundërtën, të ushtrojë padi gjyqësore kundër të gjithë personave për kthimin e këtyre parave”, thuhet në raport.  

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit ka gjetur një varg shkeljesh në pasqyrat financiare për vitin 2020 në MKRS. 

Raporti ka evidentuar vonesa në mbylljen e avancave të marra nga OJQ-të për projekte kulturore, vonesa në shlyerjen e obligimeve financiare e pagesa mujore për ish- pjesëtarët e strukturave paralele serbe, të njohur si “Rojat e Urës”. 

Exit mobile version