Site icon Telegrafi

Rapanui dhe vizat e kosovarëve

Fushat, arat, lumenjtë, pyjet, malet dhe kodrat e Kosovës po shkatërrohen. Kush nuk e sheh këtë, nuk është se nuk ka sy, por nuk ka zemër, nuk ka tru. Megjithatë, e keqja më e madhe e kësaj murtaje është se fushat, arat, lumenjtë, pyjet, malet e kodrat tona po shkatërrohen nga njerëzit që janë të njohur me të vetmen gënjeshtër: se gjithë jetën ia kanë falur Kosovës.

Shqiptarët që e kanë besuar këtë gënjeshtër, i kanë adhuruar dhe ende i adhurojnë këta njerëz “zota”, që po e shkatërrojnë Kosovën. Duket se do të vazhdojnë t’i adhurojnë edhe kur s’do të mbetet pyll as lumë i pashkatërruar në vendin tonë.

Rapanui ishte popull krenar i një ishulli të Pacifikut, që shumë më vonë do të merrte emrin Ishulli i Pashkëve. Ata patën shkëlqim dhe zhvillim të madh, para se të fillonin të ndërtonin statujat legjendare Moai, si idhuj të gurtë për adhurim. Kjo ndërmarrje ishte shkatërrimtare për ishullin, deri atëherë i mbushur me pyje të këndshme dhe me gjallesa e zogj të larmishëm. Pas punës në gurore, për t’i bartur, d.m.th. për t’i rrotulluar statujat gjigante deri në breg të detit – atë ku të ftohtë dhe pa asnjë shprehje në fytyrën e gurtë shikojnë oqeanin edhe sot – u shkatërruan pyjet tropikale të ishullit. Drunjtë e lartë u prenë dhe, u mor vesh, një gjë pasoi tjetrën – erozioni, shkatërrimi i bujqësisë, ikja e zogjve, shtimi i brejtësve, revoltat – dhe, dikur një popull madhështor, Rapanui e gjeti veten në kaos, të uritur, të shkatërruar e të dëshpëruar.

Çka ishte më keq, për shkak se kishin prerë drunjtë, banorët e Ishullit të Pashkëve më nuk mund të ndërtonin anije. As anije për të peshkuar, por as për t’u larguar nga aty. Dhe mbetën aty të dëshpëruar derisa në vitin, 1877, një popullatë dikur e lulëzuar, e përbërë nga dhjetëra mijëra banorë të shëndetshëm, ishte tretur në një shifër të mjerueshme prej 111 banorëve.

Kthehemi në Kosovë! Ne, jo vetëm që po e shkatërrojmë Kosovën tonë të bekuar, por me adhurimin e këtyre statujave të jashtëkohshme, që dikush u thotë liderë, dikush elitë e dikush njerëz të çështjes, ne kemi degraduar në një popullatë të pashëndetshme, të dëshpëruar. Një popull që nuk ka energji për punë, që nuk e di më dallimin në mes të mires dhe të keqes, morales dhe amorales, të bukurës dhe të shëmtuarës.

Duke adhuruar një kastë të denjë vetëm për përbuzje, ne kemi hyrë në një vorbull çmendie, ku krijesa të pamoralshme klithin në një kazan gjigant, duke u përpjekur të bien në sy, duke u përpjekur dëshpërimisht t’i kënaqin udhëheqësit e tyre kriminalë, arrogantë dhe sidomos injorantë. Por kjo gara e ofrimit të kënaqësisë, duket se nuk po ka fund. Sikur uji i detit që e shton etjen edhe më, lavdia e përzier me pushtet, pasuri, luks e shfrenim po i nxitë zotat e rrejshëm të duan dhe të kërkojnë edhe më. Prandaj, me duart dhe thonjtë…tanë, po i gërryejnë fushat, lumenjtë e pyjet, po e gërryejnë Kosovën. Nëse vazhdon edhe pak kështu, nuk do të mbes trohë Kosovë për ne. Kosova po bëhet Ishulli i Pashkëve! I shkatërruar nga erozioni, sidomos nga erozioni i vlerave morale.

Populli rapanui i kishin prerë drunjtë dhe s’mund të largoheshin nga ishulli i tyre. Edhe ne, me sjelljen tonë, sidomos me adhurimin e një klase njerëzish që po e shkatërron Kosovën, i kemi prerë vetes çdo mundësi edhe për t’u larguar nga Kosova.

Sepse, tani asgjë s’do të na ndalte të largoheshim. Dhe, Evropa e di mirë këtë! Prandaj, nuk po na i ndërton ‘anijet’!

Exit mobile version