Bashkëpunimet në muzikë janë shumë në trend viteve të fundit dhe në të shumtën e rasteve po rezultojnë mjaft të suksesshme.
Janë parë bashkëpunime nga më të ndryshme të artistëve shqiptarë, mes këngëtarëve që u përkasin stileve të njëjta dhe atyre që nuk kanë asgjë të përbashkët në muzikën që krijojnë.
KTV-ja i ka kushtuar vëmendje fenomenit të shprehur veçanërisht viteve të fundit, e që janë bashkëpunimet me reperët kosovarë, të cilët vazhdojnë të jenë të kërkuar.
Janë një numër i madh i bashkëpunimeve në mes të artistëve nga Shqipëria me reperët nga Kosova, të cilat kanë rezultuar të suksesshme.
Nisim me bashkëpunimin i cili u prit jashtëzakonisht mirë që pas publikimit. Fjala është për atë në mes Alban Skënderajt dhe Elinel në këngën “Kam nevojë”. Që pas publikimit, ky projekt morri kritika tejet pozitive nga adhuruesit e të dy këngëtarëve por edhe nga profesionistë të muzikës. Përveç muzikës u veçua për tekstin shumë domethënës dhe të thellë. S’ka se si të jetë ndryshe kur në një projekt janë bërë bashkë dy prej tekstshkruesve që veçohen në skenën muzikore shqiptare. “Kam nevojë”, do të mbetet padyshim hit i verës 2016.
Kaos mbetet një prej grupeve i cili publikut i solli një numër të madh bashkëpunimesh, e shumë prej tyre me këngëtarë të Shqipërisë. Flori Mumajesi ishte nga këta të fundit që solli një projekt muzikor bashkë me një prej grupeve më pëlqyera kosovare. “Lule lule” është bashkëpunimi i tyre që rezultoi si një ndër këngët më të dëgjuara të kohës së saj.
Pos Flori Mumajesit, edhe Elvana Gjata disa herë ka bashkëpunuar me Kaosat. “Disko disko” mban titullin kënga e cila ndezi vërtetë të gjitha diskotekat para dy vjetësh. Me një videoklip mjaft të veçantë, Elvana dhe Kaos erdhën në stil të viteve të 90-a, duke bërë kështu që projekti të komentohej edhe më shumë. “Disko disko” nuk mbetet bashkëpunimi i vetëm në mes këngëtares nga Shqipëria dhe reperëve kosovarë. Të njëjtin vit ata bashkëpunuar për këngën “Fake”.
Përveç me Kaos, Elvana Gjata bashkëpunim solli edhe me një tjetër reper shumë të dashur nga publiku në Kosovë e Shqipëri. Fjala është për MC Kreshën, të cilët bashkë patën publikuar këngën me titull “1990”. Kënga e publikuar para më shumë se dy vjetëve ishte pritur jashtëzakonisht mirë, e po ashtu vazhdon të dëgjohet akoma.
“Baba” i bashkëpunimeve mbetet reperi i shumëkërkuar Ghetto Geasy. Përveç me këngëtarë nga Kosova, të shumta janë edhe bashkëpunimet me këngëtarë nga Shqipëria. Elvana Gjata, Soni, Çiljeta, Flori Mumajesi, janë vetëm disa prej emrave që ai bashkëpunoi. E suksesi i këtyre projekteve tashmë dihet pasi që të gjitha patën një dëgjueshmëri shumë të madhe.
Skivi është po ashtu reperi nga Kosova që solli disa bashkëpunime me këngëtarë nga Shqipëria. Më të suksesshmet mbeten ato me Soni Malajn dhe Samantën. “Me mua” ishte kënga që Skivi publikoi në bashkëpunim me Sonin dhe e cila u publikua vetëm 4 muaj më parë. Kënga aktualisht numëron rreth 3 milionë e gjysmë klikime në Youtube. Para Sonit, Skivi publikoi edhe dy të tjera bashkëpunime me Samantën. Kënga “Ti se din se” njëjtë si “SS” patën një dëgjueshmëri të madhe dhe u pëlqyen shumë nga publiku.
Bashkëpunim me këngëtar nga Shqipëria solli edhe Gold AG. Së pari me Greta Koçin, për t’i lënë radhë më pas një bashkëpunimi tjetër me të dhe Eni Koçin. Sigurisht, suksesi që pati kënga “Ma s’miri” e publikuar para 9 muajve, u la shije të mirë këngëtarëve. Ata vetëm dy muaj më vonë publikuan këngën “Me mu” e cila në bazë të klikimeve u prit gati njëjtë si e para. Në këngën “Me mu” përveç Goldit dhe Gretës e pranishme ishte edhe Eni.
Këto nuk mbeten bashkëpunimet e vetme që kanë bërë bashkë artistët shqiptarë nga Shqipëria e Kosova. Këta të fundit pa dyshim mbeten më të kërkuarit për projekte pasi edhe suksesi ka rezultuar të jetë i garantuar.