Politologu Ramush Tahiri ka folur për periudhën kur Lidhja Demokratike e Kosovës qeveriste në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës në krye me Hashim Thaçin përfaqësonte opozitën.
Tahiri ka thënë se fillimisht koalicioni mes LDK-së e AAK-së ishte formuar me qëllim të posaçëm, që kreu i AAK-së të emërohej kryeministër dhe nga kjo pozitë të shkonte në Tribunalin e Hagës, kur t’i bëhej thirrja.
Në emisionin “Komiteti Qendror”, prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjini, Tahiri ka treguar se ka pasur akuza për tradhti dhe shumë kundërshtime pas formimit të koalicionit LDK-AAK, për shkak se ishte lënë jashtë PDK, e cila kishte 30 për qind të votave.
Megjithatë, politologu që atëkohë ishte këshilltar i ish-kryetari të Kuvendit, Nexhat Daci, ka thënë se Hashim Thaçi, përkundër faktit që ishte në opozitë, ai informohej për çdo proces shtetëror.
Tahiri, ka folur për periudhën gjatë të cilës ai kryente detyrën e këshilltarit të ish-presidentes Atifete Jahjaga.
Tahiri ka thënë se së bashku me Jahjagën dhe shumë figura të tjera politike kishin qenë në një trajtim të liderëve gjatë vitit 2003 në Gjenevë.
Ai ka thënë se Jahjaga nuk kishte dijeni se do të zgjidhej presidente deri në ditën kur ajo ishte emëruar.
Tahiri ka treguar se fillimisht Jahjaga kishte kërkuar mbështetjen e tij edhe pse më vonë u krijuan mosmarrëveshje mes tyre. Thotë se në vitin e fundit të mandatit të Jahjagës, ai kishte qëndruar vetëm formalisht në presidencë. /Express/