Luan Krasniqi është një nga sportistët shqiptarë më të njohur në botë.
47-vjeçari nga Juniku në kohët e arta të tij mbajti titullin evropian në bokës për pesha të rënda dhe gjithashtu e tentoi titullin e botës për pesha të rënda në WBO.
Sot (e mërkurë) ai takoi në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili për takimin shkruaji në Facebook:
“Kënaqësi ta pres në takim kampionin tonë, Luan Krasniqin, suksesi ndërkombëtar i të cilit mbetet gjithmonë inspirim për brezat e ri. Sot, më shumë se kurrë, kemi sportistë që ndjekin rrugën dhe sukseset e Luanit. Sportistët e formatit të tij ishin dhe janë imazhi më i mirë i Kosovës në botë”.
Krasniqi aktualisht është analist i boksit, ku komenton dhe analizon meçet e mëdha.
Si boksieri më i suksesshëm shqiptar, idhujt e tij ishin Muhamed Ali dhe Lennox Lewis.
Vlen të theksohet se në ndeshjet e boksit ai është paraqitur si boksier nga Gjermania, por kurrë nuk ka fshehur prejardhjen e tij nga Kosova. /Telegrafi/