Telegrafi

Ramush Haradinaj: Thaçi e Mustafa kanë rënë në pozicionin e kukullave

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ende vazhdon të jetë në Francë shkaku i arrestimit nga autoritetet franceze ka thënë të hënën se përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave.

Haradinaj shkruan se të ulesh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletarrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd.

Lexoni të plotë postimin e Haradinajt në Facebook:

“Përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave.

Që të ulësh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletarrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd.

Të pranosh të ulesh e të dialogosh me Serbinë, në këto rrethana e në kohën e një kundërshtimi kaq të madh popullor kundër një dialogu pa kushte, do të thotë të mos e përfaqësosh popullin.

Ndërkaq sa i përket deklarimeve të prokurorëve e të politikanëve serbë për rastin tim, i porosis të gjithë ata, se kryeqyteti im nuk është Beogradi!”. /Telegrafi/