Site icon Telegrafi

Ramush Haradinaj në SHBA: Angazhim për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe forcimin e partneritetit strategjik

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e aktiviteteve festive për inaugurimin e Presidentit Trump.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka ndarë detaje nga vizita e tij, duke e cilësuar si një nder të madh pjesëmarrjen në këtë ngjarje historike me ftesë të miqve nga Iowa.

Haradinaj ka zhvilluar takime me personalitete të rëndësishme amerikane, përfshirë Matthew Whitaker, të përzgjedhurin e Presidentit Trump për ambasador në NATO, Senatoren Joni Ernst, dhe Kongresmenët Randy Feenstra e Zach Nunn.

“Gjatë të gjitha bisedave, kam diskutuar me prioritet angazhimin për anëtarësimin e drejtpërdrejtë të Kosovës në NATO dhe forcimin e raportit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së,” ka shkruar Haradinaj.

Ai ka vënë theks të veçantë në lidhjen e ngushtë mes Kosovës dhe Iowas, e cila ka nisur përmes Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Haradinaj e ka quajtur këtë marrëdhënie “të rëndësisë jetike” për synimet strategjike të Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

“Kjo marrëdhënie ka kaluar përtej bashkëpunimit ushtarak, duke përfshirë fusha si edukimi, ekonomia dhe kultura, dhe shërben si shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrijnë miqësia dhe partneriteti,” ka shtuar ai.

Haradinaj ka falënderuar popullin e Iowas për mbështetjen e tyre të palëkundur ndaj Kosovës, duke theksuar rolin kyç që ata kanë luajtur në rrugëtimin e vendit drejt stabilitetit dhe zhvillimit.

“Sot, jo vetëm që qëndrojmë krah për krah në paqe, por shërbejmë së bashku në misione për siguri dhe paqe, duke treguar forcën e vërtetë të këtij partneriteti,” përfundoi Haradinaj, duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm të SHBA-së në suksesin e Kosovës.

Exit mobile version