Sonte (e enjte) në sheshin e Prishtinës, me fillim në orën 23:00 do të bëhet hapja e kauzës sensibilizuese “Dardani je vesh me diell”.
Organizatorja Albana Osmani dhe ambasadorja e kësaj kauze në Kosovë, Anita Haradinaj rrëfyen në një intervistë për Telegrafin, të gjitha aktivitet që do zhvillohen sonte në shesh.
Hapja do të bëhet nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili do të ndezë një qiri në nder të ditës së lumturimit të Nënës Terezë që është sonte.
Në një prononcim shkurt për Telegrafin, kryeministri Haradinaj ka treguar kënaqësinë e mbështetjes së kësaj kauze të veçantë.
“Unë si kryeministër i Kosovës mbështet secilën nismë humanitare nga kushdo që vjen, e konform ligjeve në fuqi, së këndejmi e mbështet edhe fushatën në fjalë”, ka thënë Ramush Haradinaj për Telegrafin.
Në zhvillimin e kësaj iniciative në kryeqytet, do të shiten bluza me dizajn të lulediellit, nga të ardhurat e të cilave do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve të prekur nga sëmundjet e gjakut në QKUK, ku do të blihen aparaturat që mungojnë për ekzaminimin e sëmundjeve.
“Shoqëria dhe Qeveria Haradinaj do të ndërmarrim hapa konkret në mbështetje të kësaj kategorie që fëmijët në nevojë të mos lihen të vetëm”, tha kryeministri Haradinaj në vazhdimin e bisedës.
Ndërkohë në përfundimin e bisedës, Ramush Haradinaj tha se është mirë të ndërgjegjësohemi të gjithë, dhe të ndihmojmë ata që kanë nevojë, sepse sensibilizimi është rruga e një jete më të mirë bashkëkohore.
“Secili dikaster qeveritar por edhe sektori civil që ndërlidhet me këtë fushë ose ka mundësi të ndihmojë duhet ta bëjë këtë, pa thirrje. Sepse thirrja e ndërgjegjës është mbi secilën thirrje”, përfundoi Ramush Haradinaj për Telegrafin.
Ndërkohë, organizatorja e iniciativës Albana Osmani ka qenë mjaft e suksesshme me kauzat e saj në Shqipëri, ndërsa është shprehur se Kosova ka qenë e dyta në radhë për zhvillimin e kësaj fushate, në ndihmë të fëmijëve. /Telegrafi/