Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është parë duke pirë kafe në mëngjesin e sotëm me kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Insajderi ka siguruar një fotografi të këtij takimi që ka ndodhur në njërin prej lokaleve në Prishtinë.
Haradinaj dhe Kusari-Lila nuk kanë qenë të shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tjerë të tyre.
Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda kanë paralajmëruar krijimin e një partie të re politike ndërsa nuk dihet nëse takimi është bërë me qëllim të lidhjes së ndonjë bashkëpunimi në të ardhmen mes dy palëve.
Në anën tjetër, AAK e Haradinajt tashmë ka lidhur një koalicion parazgjedhor me Nismën për Kosovën, ndërsa po insiston në zgjedhje të jashtëzakonshme. Zyrtarë të AAK-së disa herë kanë thënë se zgjedhjet do të mbahen brenda këtij viti.
Mimoza Kusari cilësohet si kundërshtare e fortë e AAK-së. Ajo kishte arritur që të largonte AAK-në nga pushteti në Gjakovë, pasi që në zgjedhjet lokale kishte mundur Pal Lekajn.