Site icon Telegrafi

Ramush Haradinaj: Deçani do të bëhet adresë ballkanike e turizmit dimëror

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partnerët e koalicionit, kanë mbajtur sot tubim zgjedhor në Deçan.

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Deçani do të transformohet në një destinacion të rëndësishëm për turizmin dimëror në Ballkan.

Sipas Haradinajt, qyteti i Deçanit, që është i rrethuar nga bjeshkët e malit, ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e sporteve dimërore.

“Deçani, xhevahiri i turizmit malor, është ndër qytetet e rralla që rrethohet me bjeshkë që i kanë terrenet më të përshtatshme për sportet dimërore,” tha Haradinaj, duke shtuar se ky projekt do të bëhet një prioritet i qeverisë së tij.

“Do të investojmë dhe do ta shndërrojmë këtë zonë në adresë ballkanike të turizmit,” theksoi ai.

Ai shtoi se turizmi dhe bujqësia mund të shndërrohen në shtylla të zhvillimit ekonomik për Komunën e Deçanit, duke siguruar mbështetje të vazhdueshme nga shteti.

Përveç kësaj, Haradinaj theksoi se rinia dhe studentët do të kenë mundësi për t’u zhvilluar përmes politikave mbështetëse, si bursa për studentët dhe mbështetje financiare për të rinjtë që dëshirojnë të fillojnë biznese të vogla.

Në lidhje me energjinë, Haradinaj u shpreh se qeveria e tij do të përpiqet për të ulur çmimet e energjisë dhe për të siguruar që Kosova të prodhojë energjinë vetë, duke shmangur ndikimin e grupeve mafioze që ndikojnë në çmimet e energjisë.

“Energjia nuk do të jetë malli më i shtrenjtë. Do ta ulim çmimin për 20 përqind,” shtoi ai.

Haradinaj përmendi gjithashtu rëndësinë e sigurisë për zhvillimin e vendit dhe theksoi se për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, Kosova duhet të bëhet anëtare e NATO-s. /Telegrafi/

Exit mobile version