Sot (e martë) është ndarë nga jeta aktori i ri nga Gjakova, Art Kurti.
Vdekja e tij ka lënë të pikëlluar mijëra fansa e artdashës, si dhe shumë figura publike në vend.
Ngushëllime për humbjen e të ndjerit ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai në një postim të bërë në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka thënë se me dhimbje e pranoi lajmin për humbjen në moshë të re të aktorit, ndërsa u ka shprehur ngushëllime familjarëve.
“Me dhembje mora lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të artistit, mikut dhe kolegut tonë, Art Kurti. Familjes Kurti dhe të afërmve të tij, ngushëllimet më të thella për këtë humbje kaq të madhe e të papritur! U prehsh në paqe, Art” (sic.), ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Varrimi i të ndjerit, pritet të bëhet nesër në varrezat e qytetit në Gjakovë. /Telegrafi/