Mesfushori Aaron Ramsey ka thënë se Cristiano Ronaldo e ndihmoi atë të vendoset te Juventusi dhe zbuloi se ai mund të përfundojë karrierën e tij në Cardiff.
Ylli uellsian u transferua nga Arsenali në Juventus verën e kaluar dhe në një kyçje ‘live’ në Instagram, ai u tha ndjekësve të tij se Ronaldo e ndihmoi atë të rehatohet në Torino.
“Përveçse është një lojtar i jashtëzakonshëm, Cristiano është gjithashtu një person shumë i mirë, një nga më të mirët në historinë e futbollit”, ka thënë fillimisht Ramsey.
“Kur e pashë në seancën e parë të stërvitjes, shkova në mensë dhe ai më kërkoi që të ulem me të”.
“Ne folëm shumë dhe kjo më kënaqi sepse menjëherë më bëri të ndihem i qetë. Cristiano është një person i mrekullueshëm. Ai i do shokët e tij të skuadrës dhe gjithmonë jep më të mirën në stërvitje”.
29-vjeçari u transferua nga Cardiff në Arsenal në korrik të vitit 2008 dhe nuk përjashton rikthimin për të përfunduar karrierën me ekipin nga Uellsi.
“Falë tyre, u bëra një futbollist profesionist. Kështu që, një ditë mund të kthehem përsëri”, përfundoi mesfushori. /Telegrafi/