Telegrafi

Ramosaj: Presidenti duhet të jetë person që ka dëshmi se e do këtë vend dhe që nuk tradhton

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ishte i ftuar këtë javë në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini.

Ramosaj ka komentuar profilet e disa prej figurave politike në Kososë.

Lavdatat më të mëdha i ka ndarë për kryetarin e partisë së tij, Ramush Haradinajn për të cilën thotë se vjen nga një e kaluar legjendare.

“Ramushi është lideri më unifikues që e ka Kosova. Është njeri tepër i drejtë dhe i sinqertë dhe është mjaft i kujdesshëm në fjalorin politik edhe për rivalët politik…Për mua si qytetar i këtij vendi më interesojnë dy gjëra që t’i ketë presidenti: Duhet të jetë një figurë që ka dëshmuar se e do këtë vend e që ka sakrifikuar për këtë vend dhe një person që nuk bënë tradhti për këtë vend. Këto kritere për mua më së miri i përmbush Ramush Haradinaj”.

I pari i Deçanit ka fjalë të mëdha edhe për vëllain e Ramushit, Dautin për të cilin thotë se është luftëtari më i madh që e ka njohur.

Ramosaj duke folur për figurën e Hashim Thaçit, thotë se e kaluara e tij është për t’u admiruar qysh kur ishte student.

“Edhe si politikan brenda Kosovës ka qenë i mirë. Ruaj respekt të veçantë për presidentin Thaçi”.

Duke folur për figurën e Abin Kurtit, Ramosaj thotë se është person me intelekt të veçantë por ka një dëshirë në lidhje me të.

“Dua që Kurti të relaksojë diskursin e shprehjeve në politikën e Kosovës, sepse ky e ka fillua këtë diskurs dhe ky mund ta ndal. Për momentin nuk na duhet diskursi përçarës në Kosovë”, deklaroi më tej Ramosaj./Telegrafi/