Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan, ka mungesë të barnave kundër helmimit.
Këtë deklaratë Ramosaj e dha pas helmimit të mbi 1,500 qytetarëve të fshatrave të Deçanit.
Dyshohet se këta qytetarë janë helmuar nga uji i pijshëm.
“Asnjë QKMF në nivel të shtetit, e lëre në Deçan nuk është e furnizuar në masën e duhur dhe këtë e them me kompetencë. QKMF në Deçan prej ditës së shtunë, prej të premtes realisht, por prej të shtunës kur ne kemi fillu me hetu këtë situatë e deri më sot nuk është furnizuar. Do të thotë ka ndodhë furnizim prej vullnetit të mirë të mjekëve qoftë prej pagës së tyre, është dashtë me e bo deklarative, është dashtë me shku me i ble këto barna, qoftë edhe ndihmë të qytetarëve, ose edhe kolegëve të mi të komunës dhe bizneset që kanë ofru këtë shërbim QKMF-së”, tha Ramosaj.
Kryetari ka thënë se shpreson që deklaratat dhe premtimet e nivelit qendror për përkrahje të Deçanit të bëhen realitet.
“Përkrahja ose ndihma deri më tash nga niveli qendror është vetëm deklarative, edhe sot janë në suazat e deklaratave dhe premtimeve, e që unë shpresoj të shndërrohen në reale, sepse është tepër e nevojshme dhe tash sot e nesër a po lëviz diçka pozitivisht”, tha Ramosaj për Kallxo.
Ramosaj ka thënë se është duke u pritur rezultati i laboratorit për të kuptuar se për çka bëhet fjalë.
Ai ka kërkuar nga mediat që të kenë kujdes për mënyrën e raportimit lidhur me këtë rast.