Sergio Ramos ka deklaruar se nuk ka ëndërruar asnjëherë të shënojë 100 gola, pasi misioni i tij si mbrojtës ka qenë t’i ndalojë ato.
Spanjolli shënoi për 1-0 kundër Leganes të mërkurën mbrëma dhe ky ishte goli i tij i 100-të në karrierë.
Ai ka folur për gëzimin e tij për këtë arritje teksa shpjegoi se ai kurrë nuk ka pritur një gjë të tillë duke pasur parasysh pozicionin e tij si mbrojtës.
“Unë jam një mbrojtës krenar”, shkroi ai fillimisht në postimin e tij në Instagram.
“Misioni im si qendërmbrojtës dhe më parë si mbrojtës krahu, kurrë nuk ka qenë për të shënuar gola, por për t’i ndaluar ato”.
“Kjo është arsyeja pse arritja e 100 gola është diçka e veçantë që, ashtu si çdo gjë tjetër në karrierën time, kurrë nuk kam ëndërruar kur fillova të luaj”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë shumë dhe të përqendrohemi çdo ditë për të fituar besimin dhe mbështetjen tuaj”, përfundoi ylli spanjoll.
Ndryshe, Ramos ka shënuar 80 gola për klubin e tij të tanishëm, tre për Sevillën dhe 17 për Spanjën. /Telegrafi/