Pasi u shpall kampion i La Ligas për sezonin 2019/2020, Sergio Ramos e ka komentuar suksesin e Mbretërve dhe rrugëtimin e tyre drejt kësaj arritjeje, si edhe iu është përgjigjur disa pyetjeve të gazetarëve.
Ai është pyetur edhe për kohëzgjatjen e qëndrimit të tij te Los Blancos dhe ku e sheh të ardhmen.
“(Do të qëndroj) për aq sa presidenti dëshiron. Jam i gëzuar që ndodhem këtu dhe dua të pensionohem me këtë klub”.
“Nuk besoj se do të ketë ndonjë problem nga cila do palë që mund ta pengojë të ndodhë kjo”, është shprehur më tej Ramos për Movistar+.
Qendërmbrojtësi spanjoll është pjesë e Real Madridi nga viti 2005, ndërsa e ka fituar pesë herë La Ligan, katër herë Ligën e Kampionëve, katër herë Kupën e Botës për Klube, dy herë Kupën e Mbretit, katër herë Superkupën e Spanjës dhe tri herë Superkupën e Evropës.
Ndërsa Florentino Perez i ka qetësuar tifozët lidhur me situatën e kontratës së kapitenit, e cila skadon pas një viti dhe akoma nuk ka bisedime për rinovimin e saj.
“Ramos do të qëndrojë këtu gjithë jetën. Tifozët mund të qetësohen. Ai ka qenë një lider mbresëlënës. Skuadra është e lidhur dhe shumë prej kësaj është meritë e tij”, ka deklaruar kreu i Realit. /Telegrafi/