Site icon Telegrafi

Ramiz Riza: Asnjëherë nuk kam dyshuar te Ali Ahmeti (Video)

Në një intervistë për Teleskopi.net, flet vëllai i Beg Rizajt, i vrarë një vit më parë së bashku më 9 bashkëluftëtarë në luftimet e zhvilluara për 17 orë në Kumanovë.

Ramiz Riza sqaron se Begu nuk është vrarë pasi është dorëzuar, ashtu siç është shkruar në media, sepse ai thotë që e ka parë trupin e Begut dhe në trupin e tij nuk ka pasë asnjë shenjë që dëshmon se ai është zënë i gjallë dhe se në trupin e tij nuk ka parë asnjë shenjë maltretimi përveç se është i vrarë.

Po ashtu Riza nuk ka dyshim nëse Begu është tradhtuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, për të cilin thotë se familja e tij ka respekt të madh, pasi ka qenë shumë i dashur dhe i afërt me Begun dhe kanë qenë shokë shumë të mirë.

Riza nuk ka dyshim as të shokët e tij, se ndonjëri nga ta ka mundur ta tradhtojë Begun dhe të tjerët, për t’u pasuruar vet. Ai thotë se ata kanë shkuar si vëllezër dhe kanë vdekur si vëllezër.

Teleskopi.net: Për veprimtarinë atdhetare të Begut është i njohur opinioni kombëtar, pasi si i ri mori pjesë në të gjitha luftërat çlirimtare në trojet shqiptare. Kur ka filluar veprimtarinë atdhetare Begu?

Riza: Begun më së shumti e ka frymëzuar rasti i Mentor Tolajt në Deçan, prej atij momenti Begu për çështje kombëtare ka filluar të punonte në çdo drejtim. Rasti i dytë ka qenë kur e kanë arrestuar policia serbe Rasim Selmanajn në Gllogjan.

Teleskopi.net: Është folur e shkruar shumë për luftimet në Kumanovë. Cila është e vërteta e luftimeve në Kumanovë?

Riza: Për luftën në Kumanovë nga ana e familjes, më së shumti që na brengos deri më sot është se të vërtetën ende nuk mund ta dimë.

Teleskopi.net: A keni biseduar me Begun gjatë kohës sa janë zhvilluar luftimet në Kumanovë?

Riza: Gjatë luftës që ka zhvilluar në Kumanovë nuk kemi pas telefonatë. Prej të premtes që ka hy në Kumanovë, ne nuk kemi pas asnjë telefonatë, asnjë lidhje, vetëm se e dimë se ai ka shkuar shpejt e shpejt.

Teleskopi.net: Është shkruar shumë se Begun dhe Mirsadin i kanë ekzekutuar pasi janë kapur të gjallë nga policia maqedonase.

Riza: Folet shumë se policia maqedone e ka kap të gjallë. T’u tregoj të vërtetën, ato janë veç manipulime, përfitime të shumë gazetarëve. Unë trupin e tij, jam personi i parë që e kam parë, aty nuk ka asnjë shenjë, as diçka që tregon se Begu është i lënduar, pos që është i vrarë. Këto çka fliten, çdo kush e ka për dëshirë të vetën.

Teleskopi.net: Janë bërë obduksionet e kufomave në Shkup dhe Prishtinë, a i besoni këtij raporti?

Riza: I besoj atij raporti, se si e shoh figurën dhe si e kam pa, i kem ato fotografi, është shumë shpejt me dal me to, por pas një kohe do të dalim dhe do t’i dëshmojmë këto. Asnjë gjë nuk më brengos tash, se figurën e tij e kam parë.

Teleskopi.net: Zhvillimet e ngjarjeve, siç kanë ndodhur në Kumanovë, lënë të kuptohet se grupi i luftëtarëve mund të jetë tradhtuar nga dikush, dhe njëri nga emrat më të përfolur është edhe ai i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Riza: Për zotin Ali Ahmeti, edhe kur isha para një viti në KTV e kam cek, edhe tash këtu ju tregoj, familja ime ka shumë respekt për të. Ali Ahmeti ka qenë shumë i dashur dhe i afërt me Begun. Kanë qenë shokë shumë të mirë, asnjë dyshim nuk e kam e as nuk kam me pas. Respekti është i imi dhe i familjes sime për Ali Ahmetin.

Teleskopi.net: Po ashtu është shkruar se dikush ka marrë shumë të madhe parash për atë që ndodhi në Kumanovë. A dyshoni tek ndonjë nga shokët e Begut?

Riza: Mendimi është shumë i qartë, për asnjë shok të Begut nuk dyshoj se në ato dy ditë sa kanë luftuar që e ka tradhtuar Begun dhe vet të pasurohet. Ata kanë shkuar si vëllezër, kanë vdekur si vëllezër. Te familja ime është respekti dhe dëshira që ata të lirohen sa më parë.

Teleskopi.net: Mesazhi familjes për qytetarët dhe politikën shqiptare në njëvjetorin e rënies së Begut dhe 9 bashkëluftëtarëve të tij.

Riza: Shumë pak vi në Kosovë, pasi nuk jetoj këtu, për asnjë njeri nuk kam fjalë të keqe, as për politikanët dhe për asnjë shqiptar nuk e kam asnjë dyshim.

Exit mobile version