Site icon Telegrafi

Ramiz Kelmendi: Raportet e Kosovës me Amerikën nuk bën të krahasohen me servilizmin e dikurshëm të shqiptarëve ndaj Turqisë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka reaguar ndaj Fatos Lubonjës për deklaratën e këtij të fundit në lidhje me “servilizmin e shqiptarëve ndaj Amerikës”.

Kelmendi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se nuk mund të bëhen paralele mes raporteve që Kosova ka me Amerikën dhe atyre që ka pasur me Turqinë.

“Ne e dimë çfarë Amerika ka bërë për Kosovën. Lubonja është bazuar në servilizmin e tejkaluar ndaj Turqisë pasi shqiptarët nuk kanë përfituar asgjë nga ai servilizëm turk. Këto ide të së kaluarës duhet të hidhen dhe të shikohet nga e ardhmja”.

Ai ka thënë se qëndrimet e amerikanëve nuk duhet të kuptohen si kërkesë për servilizëm ndaj tyre, përcjell Telegrafi.

“Qëndrimet amerikane nuk mund të konsiderohen qëndrime të një ambasadori apo qëndrime të djalit të Trumpit. Djali i Trumpit ka funksion të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë. Këta janë miq të Trumpit dhe të fushatës zgjedhore të tij”.

Afaristi thotë se qëndrimet e njerëzve të afërt të Presidentit duhet kuptuar si diçka më e butë se ndonjë reagim i Trumpit.

“Kur të reagojë Trumpi, ai është qëndrim i pariparueshëm”, tha ndër të tjera Ramiz Kelmendi.

Ndryshe analisti dhe publicisti Fatos Lubonja mbrëmë kishte deklaruar se shqiptarët janë populli më servilë ndaj Amerikës në Evropë./Telegrafi/

Exit mobile version