Telegrafi

Ramiz Kelmendi: Duhet të rriten rrogat që të mos largohet rinia – unë paguaj edhe rroga 6 mijë euroshe (Video)

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë se ikja e të rinjve ka impakt negativ në ekonominë e Kosovës dhe bizneseve.

Kelmendi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se edhe punëtorët nga kompania e tij po e lëshojnë Kosovën për një jetë më të mirë.

“Njerëzit që kanë rroga 400-500 euro e lëshojnë Kosovën, e lëshojnë vendin e punës me paralajmërim për një jetë më të mirë. Është iluzion të mendohet që t’iu kërkosh atyre të jenë patriotë e të mos e lëshojnë Kosovës”.

Afaristi ka thënë se punëtorët nga Kosova po përshtaten mirë në tregun e punës në Gjermani, pasi sipas tij, rinia e Kosovës është e shëndoshë dhe nuk konsumon alkool e substanca tjera në sasi të madhe.

“Kam qenë edhe në Poloni e Gjermani. Kur bëhet vikendi pjesa më e madhe e tyre janë të dehur plotësisht”.

Deputeti i LDK-së ka thënë se ky largim i të rinjve nga Kosova ka efektin edhe në konsumin e brendshëm duke dëmtuar ekonominë.

“Një furraxhi që kam takuar një ditë më tha: Kam menduar se mua nuk do të më bjerë puna se shes bukë. Tash jo që më ka rënë puna, por jam afër mbylljes së furrës. E dini që nëse dalin 170 mijë banorë, i bjerë 170 mijë bukë në ditë më pakë. Ata mund të kthehen e të bien para në Kosovë, por bukën e kanë ngrënë në Gjermani e Zvicër”.

Kelmendi ka thënë se është e nevojshme që të rritet edhe rroga mesatare në sektorin privat, ndërsa nuk ka ngurruar të tregojë edhe pagat në biznesin e tij.

“Rroga mesatare në kompaninë time është diku 500 euro. Shitësit e kanë diku 350 euro…Rrogë në kompaninë time ka deri në gjashtë mijë euro, rrogat te unë jam shumë më të larta se në kompanitë tjera”, tha ndër të tjera Ramiz Kelmendi. /Telegrafi/