Lideri i LISBA, Fuad Ramiqi, ka thënë se hetuesia e Policisë së Kosovës u ka bërë presion të burgosurve për terrorizëm që të deklarojnë se janë nxitur nga ai dhe Shefqet Krasniqi.
Ai këtë deklaratë e ka dhënë duke komentuar akuzën e ngritur ndaj Krasniqit, duke theksuar se nuk ka qenë i befasuar nga kjo gjë, sepse kur vendi ka probleme tjera, gjenden mënyra të këtilla për të tërhequr vëmendjen.
“Për mua nuk ka qenë lajm befasues. E kam pritur konfirmimin e aktakuzës. Kjo ka ndodhur edhe me mua. Kur ka probleme tjera akute, atëherë gjendet pretekst islami, apo ndonjë imam që të orientohet vëmendja në atë drejtim”, tha Ramiqi, në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Po ashtu u është bërë presion të burgosurve për terrorizëm në Kosovë që të thonë se Shefqet Krasniqi dhe Fuad Ramiqi kanë qenë nxitës në mënyrë që të lirohen. Këto janë metodat që i përdor hetuesia e Kosovës”.
“Unë jam akuzuar për ‘thirrje për rezistencë’, sepse gjithmonë kam dalur në mbrojtje të myslimanëve. Thuhet se në Kosovë ka rritje të ekstremizmit, sepse nuk ka pasur asnjë rast të tillë”, tha Ramiqi.
“Për mendimin tim Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka kompetencë ta vlerësojë dijen e Shefqet Krasniqit. Sepse thirrja akademike e tij dhe dija e tij është e nivelit shumë të lartë. Ata e kanë bërë edhe një gabim tjetër, duke thënë se ligjërimi i tij nuk është në përputhje me ajetet kuranore. Dija e Shefqet Krasniqit dhe ligjëratat e tij në asnjë moment nuk kanë qenë nxitje. Sepse ai e interpreton islamin ashtu sic është”.
Ramiqi ka thënë se po manipulohet me numrin e kosovarëve që kanë marrë pjesë në grupet e armatosura në Siri, për qëllime të ndryshme.
“Po manipulohet me shifrat për kosovarët që kanë qenë pjesë e konfliktit në Siri. Ata që kanë shkuar në fillim kanë qenë të ftuar për ndihmë popullit sirian. Në atë kohë nuk ka pasur asnjë grup terrorist atje. Dhe ende po manipulohet me këtë shifër”, tha Ramiqi. /Klan Kosova/