Site icon Telegrafi

Ramiqi për luftën në Bosnje dhe Hercegovinë: Në fillim janë interesat ekonomike, më vonë ideologjia

Ngjarjen në Srebrenicë, ish-pjesëmarrësi në luftën e Bosnjës, Fuad Ramiqi, po e cilëson si tradhti të dyfishtë.

“Ishte një tradhti e dyfishtë, fillimisht nga ndërkombëtaret dhe një tradhti e shpresës se nuk do të ndodhte një dorëzim i forcave boshnjake, se ne nuk do të dorëzohemi asnjëherë”, ka thënë Ramiqi në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova.

Ai ka thënë që rasti i masakrës së Srebrenicës ishte veprim i planifikuar me vite të tëra nga serbët, andaj nuk kishte pasur mundësi që ushtarakisht të futeshin aty e t’ju ndihmohej viktimave.

Sipas Fuad Ramiqit shqiptari i vetëm që kishte shkelur në Srebrenicë ishte Halit Mazreku, i cili ishte pjesë e njësive helikopter.

“Ne si ish-ushtarak shqiptarë të ish-Jugosllavisë, nuk kemi pasur mbështetje politike që të na udhëzojnë apo të na transferojnë diku. Përfshirja e shqiptarëve nuk ishte aksidentale, mirëpo ishte e vullnetshme. Një shqiptar i vetmi i cili ka arritur të shkel në Srebrenicë ishte Halit Mazreku, i cili ka qenë pjesë e njësive helikopter që ka bërë furnizimin me armatim të njësive kudo. Ai ka qenë një njeri që ka dhënë një kontribut shumë të madh” ka thënë Ramiqi.

Ish-pjesëmarrësi në luftën e Bosnjës ka thënë se edhe në këtë luftë ka pasur biznes me. Sipas tij, lufta bëhet për interesa ekonomike, ndërkaq ata ideologjikë vijnë më vonë.

“Edhe në Kosovë ka pasur njerëz që kanë blerë armatim prej serbëve e prej Ushtrisë serbe”, tha ai. “Kam pasur rast që në njësitin, brigadën time, në mungesë të armatimit dhe municionit, disa njerëz, disa kilometra më poshtë kanë shkuar të blejnë armatim dhe municion nga profiterët serbë. Serbët ndoshta nuk kanë pasur shumë para, por armatim kanë pasur shumë. Nuk kanë ditur ç’të bëjnë me to, të na vrasin apo të na e shesin”, tha Ramiqi.

Ramiqi vazhdoi të flasë edhe për kontributin e diasporës boshnjake në luftën në Bosnje dhe për rrogat të cilat ata i kishin marrë para dhe pas luftës në Bosnjë.

“Diaspora boshnjake ka dhënë shumë para. Sa për ilustrim unë, ushtarët e kemi pasë një rrogë 50 marka, ose në mungesë të parave e kemi pasur të drejtën ta marrim një thes grurë si kompeszim ose të presim pas luftës. Pas luftës ma kanë dhënë një shpërblim prej 7,200 markave, të cilën e ruaj me xhelozi”, përfundoi Ramiqi. /Klan Kosova/

Exit mobile version