Është publikuar një video që tregon se si aktori Rami Malek shndërrohet në këngëtarin legjendar, Freddie Mercury, për nevojat e filmit biografik, “Bohemian Rhapsody”.
Ditë më parë, aktori ka folur në lidhje me rrugëtimin e tij deri në fitimin e rolit dhe ka treguar se me të kanë punuar koreografë të njohur dhe trajnerë vallëzimi, në mënyrë që ta shfaqë sa më mirë tregimin për njeriun prapa grupit të popullarizuar, “Queen”.
“Nuk dëshironi ta imitoni Freddien, thjesht dëshironi të kuptoni pse e ka bërë atë që e ka bërë”, ka thënë Malek, citon transmeton NME.
Filmi “Bohemian Rhapsody” përcjell periudhën 15-vjeçare nga themelimi i “Queen” deri në performancën e tyre legjendare “Live Aid” në stadiumin Wembley në vitin 1985.
Lucy Boynton, Gwilym Lee, Ben Hardy, Joseph Mazzello, Aidan Gillen, Tom Hollander, Allen Leech e Mike Myers, janë disa prej aktorëve tjerë që luajnë në film.
Premiera e “Bohemian Rhapsody” në Britani të Madhe është caktuar për datën 23 tetor.
Në mbrëmjen e 24 nëntorit të vitit 1991, vetëm 24 orë pasi pranoi publikisht se vuante nga AIDS-i, Mercury ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Kensington, në moshë 45 vjeçare. /Telegrafi/