Telegrafi

Rami Malek mund ta luajë rolin negativ në filmin e ardhshëm për James Bondin

Rami Malek (Foto: Kevork Djansezian/Getty Images/Guliver)

Rami Malek është në bisedime për të luajtur rolin kryesor negativ në filmin e ardhshëm për James Bondin – transmeton Sky News.

Pasi e fitoi çmimin Oscar, Golden Globe dhe BAFTA, për portretizimin e Fredie Mercuryt në filmin biografik të grupit “Queen”, “Bohemian Rhapsody”, tashmë po flitet se ai mund të jetë rivali i Daniel Craigut në filmin e 25-të për agjentin e famshëm sekret.

Më herët është raportuar se ai kishte hyrë në konkurrencën e ngushtë për rolin negativ në vazhdimin e radhës, mirëpo arritjen e marrëveshjes e pengon roli i tij në serialin “Mr. Robot”.

Megjithatë, spekulohet se është arritur një marrëveshje që i përshtatet orarit të 37-vjeçarit, në mënyrë që të ketë mundësi të funksionojë me të dyja produksionet.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Rami Malek

Nuk janë dhënë detaje se si do të jetë karakteri negativ në filmin e radhës për 007, mirëpo flitet se mund të jetë i verbër.

Në ndërkohë, është thënë se ky do të jetë filmi i fundit në të cilin do ta shohim Daniel Craigun në rolin e James Bondit.

“Casino Royale” (2006), “Quantum of Solace” (2008), “Skyfall” (2012) e “Spectre” (2015) – janë filmat në të cilët aktori anglez deri më tani e ka luajtur rolin e agjentit sekret. /Telegrafi/